
Madrid- Historia e një të riu shqiptar i cili është arrestuar në Madrid, Spanjë pa vulë Shengen dhe pritet të deportohet drejt vendit nga ku iku, është shfaqur në ciklin e dokumentareve “To catch a smuggler” të National Geographic.
Ai dërgohet në rajonin e Policisë ku dhe merret në pyetje nga efektivët e Policisë dhe të emigracionit, teksa i bëhet e ditur nga agjentja e emigracionit se duhet të kthehet në Shqipëri pasi nuk ka arsye që të qëndrojë apo të kërkojë azil.
Ajo që prek më shumë është se i riu shprehet i trishtuar dhe refuzon të kthehet duke treguar se në Shqipëri vriten njerëz çdo ditë dhe nuk do që të kthehet.
Pjesë nga biseda:
Agjentja e emigracionit: Do të deportohesh në Shqipëri.
Djali: Po nëse nuk dua të kthehem
Agjentja e emigracionit: Deportimi në Shqipëri duhet të bëhet.
Djali: Nuk dua të kthehem, atje vriten njerëz çdo ditë. Nuk dua të vdes në Shqipëri. Nuk është vend i sigurt. Është e vërtetë, shiko në TV aty vriten njerëz çdo ditë. Çdo ditë vriten njerëz, çdo ditë. Jam i gatshëm të bëj gjithçka që të mos kthehem në Shqipëri.