Transmetuar më 22-11-2022, 21:04

TIRANË- Oficeri i Patrullës së Përgjithëshme Klisman Nikolli, 27-vjeç i arrestuar për vjedhje në Itali, është djali i një dëshmori. Babai i të riut, Mark Nikolli, efektiv dhe rapsod i njohur në Lezhë, u vra në vitin 2003, vetëm 100 metra larg Policisë së Lezhës. Nikolli, 46 vjeç në atë kohë, ka qenë duke ecur në këmbë në rrugë në momentin kur autori Martin Pjetri, i vënë tashmë në pranga, e ka qëlluar me armë zjarri.

Polici ka rënë në tokë, por Pjetri nuk është mjaftuar me aq. Ai është afruar dhe e ka qëlluar sërish Nikollin, për tu siguruar që ishte vrarë. Arsyeja e kësaj vrasjeje ishte gjakmarrja, pasi motra e Mark Nikollit kishte vrarë babanë e Martin Pjetrit.

Ndërkohë familjarët mohojnë lajmet e mediave italiane për arrestimin e tij në Itali për vjedhje. Nëna e 27-vjeçarit, Gjelina Nikolli deklaroi se i biri ndodhet në Gjermani dhe nuk ka asnjë lidhje me atë që shkruajnë mediat italiane.

“Ne jemi familje dëshmori. Janë të gjitha gënjeshtra, shpifje e intriga të keqdashësve të familjes Nikolli. Dje kam folur me djalin, më tha që ndodhet në Gjermani te nipi,”- tha ajo.