Transmetuar më 21-11-2022, 21:14

Shkodër- Shkodra, qarku më i prekur është zgjuar mëngjesin e sotëm nën ujë. Qindra hektarë toke bujqësore janë përmbytur, ndërsa dhjetëra shtëpi janë të rrethuara nga uji. Evakuimet nisen një ditë më parë kur nisen edhe orët kritike të situatës e cila risolli për ata banorë situatën e para 11 viteve.

Deri më tani janë 318 të evakuuar vetëm në Shkodër.

Dy të zhdukurit, babë e bir që i mori rrjedha e ujit janë gjetur të vdekur.

Por nuk mjafton me kaq. Ura e vjetër e Bahçallëkut që u shemb dje ka lënë pas inerte që kanë dëmtuar urën e re. Ndërprerja e lëvizjes mbi Urën e Bahçallëkut bën që Shkodra të izolohet nga pjesa tjetër e vendit. Sot ka dalë nga shtrati edhe lumi i Gjadrit, duke bërë që disa hektarë toke bujqësore të jenë nën ujë. Nga reshjet e furishme janë hapur portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Në Njësinë Administrative Dajç dhe sipërfaqja e përmbytur është 180 hektarë.

Situata problematike është dhe në Lezhë ku ka pasur përmbytje dhe evakuime gjithashtu.

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje Bashkive që të marrin masa. Por tani situata duket se është nën kontroll, megjithatë ende lumenjtë po mbahen nën monitorim.

Në Krujë, Durrës, ka prani uji në disa akse të qytetit, e në Tiranë gjithashtu. Janë pezulluar lundrimet në Shëngjin, Durrës dhe Vlorë. Aktualisht, Vlora, Përmeti, Laçi dhe Bajram Curri kanë probleme me energjinë elektrike.

Instituti i Gjeoshkencave parashikon që në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër nesër do të kenë reshje te dendura shiu. Sasia maksimale e tyre do kapë qarkun Shkodër me 77.9 mm, pasuar nga Kukësi me 74.3 mm shi.

Reshjet e parashikuara për nesër do të sjellin vërshim të përrenjve dhe lumenjve, si dhe përmbytje në zonat urbane. Moti do fillojë të përmirësohet nga e mërkura.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd