Transmetuar më 20-11-2022, 22:10

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka rrëfeu humbjen e të birit, duke u dhënë forcë dhe kurajë të gjithë atyre, sidomos nënave që jeta i sprovon me humbje të mëdha. E ftuar në mbrëmjen e kësaj të diele në “Dola te Ola”, Açka u shpreh se pas largimit të tij, ajo nuk ka jetuar më vetëm për veten por edhe për atë.

Flutura zbuloi se pas ikjes së të birit nga kjo jetë vendosi të realizojë planet që kishte me të, duke bërë edhe udhëtimet që kishin planifikuar.

“Kam udhëtuar vetëm, por në të vërtetë kam qenë me djalin tim”, tha ajo teksa tregoi se si e ndien kudo praninë të birit.

“Unë jam gjysmë Flutura, gjysmë im bir”, tha deputetja, duke u shprehur se kjo është jeta dhe fati i saj, ndaj ajo duhet të vazhdojë siç ishte edhe amaneti i të birit.

Teksa u pyet për ndikimin e kësaj ngjarje, shkrimtarja tha se e ka bërë më të brishtë dhe më të përgjegjshme me të tjerët. Gjatë bisedës së ndjerë, Açka theksoi se tashmë ajo nuk ndjen më asgjë në jetën e saj, nuk ka gjë që atë e trondit.

Ndërkohë e pyetur se a beson te jeta e përtejme ku mund të takohet sërish me të birin, shkrimtarja tha se ajo e përjeton si të tillë, por çfarëdo qoftë rëndësi ka që “do të shkojë tek i biri”. “Përderisa im bir është diku dhe unë do shkoj aty”.