Transmetuar më 15-11-2022, 21:42

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të marrë nga Prokuroria e Tiranës për dënimin e poetes Mimoza Ahmeti. Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka ‘përdorur’ këtë vendim për të vijuar me sulmet e thirrjet ndaj Prokurorisë së Tiranës teksa shkruan se vendime të tilla, si dënimi i poetes Ahmeti apo edhe i këngëtarit Bojken Lako merren me zell. Ndërsa, sipas kreut të qeverisë, dosjet për miliona dollarë evazion fiskal dhe për pastrim parash, flenë ende dhe për to nuk ka asnjë vendim nga Prokuroria.

"Pas një këngëtari ja edhe një poete, që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara!"- shkruan Rama.

Ky reagim i kryeministrit vjen pas dënimit të poetes, por në vijim të sulmit ndaj Prokurorisë së Tiranës. Pak ditë më parë, kreu i qeverisë tha nga Kuvendi se Prokuroria e Tiranës se ka rritur pazarin duke marrë ryshfet dhe duke penguar punën e autoriteteve për të konfiskuar ndërtimet pa leje. Prokurorinë e Tiranës, Rama e ka konsideruar një institucion me të cilin "qeverisë i ka ngecur sharra në gozhdë" dhe një ‘zullum i madh’.

Thirrjet e Ramës kundrejt Prokurorisë kanë ardhur në formën e një ‘kërkese për ndihmë’ në lidhje me ata që e akuzojnë për shpenzimet miliarda euroshe me fluturimet me charter. Në një postim në rrjetet sociale, të bërë disa ditë më parë, kreu i qeverisë, pa përmendur emra, por që u referohet mediave e Opozitës, kërkoi që Prokuroria të marrë nën hetim dosje të tëra të grumbulluara pas denoncimeve për pastrim parash dhe evasion fiskal. Në këtë mënyrë, kryesocialisti i ‘tërheq vëmendjen’ Prokurorisë së Tiranës dhe i kërkon të merret me ata që akuzojnë kryeministrin dhe jo me skandalin e udhëtimeve që u publikua nga hakerat iranianë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd