Transmetuar më 15-11-2022, 10:31

Popullsia e botës arrin në plot tetë miliardë njerëz, u njoftua sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Kanë kaluar 11 vjet nga koha kur popullsia e botës numëronte 7 miliardë njerëz. Dhe për pak më shumë se një dekadë, njerëzimi u rrit me një miliard më shumë.

Sipas OKB, ritmet po ulen dhe më tej mund të duhen 15 vjet për të arritur në 9 miliardë njerëz.

OKB-ja informon se pret që shifra prej 10 miliardë banorësh të arrihet jo më afër se në vitin 2080.

Numri i njerëzve në botë është vështirë të llogaritet saktë dhe OKB-ja pranon se të dhënat e saj mund të mos jenë të sakta.

Rritja më e madhe e popullsisë në 11 vitet e fundit është shënuar në vendet me të ardhura mesatare, kryesisht në Azi.

Vendet aziatike janë shtuar për rreth 700 milionë njerëz që nga viti 2011. India ka shtuar rreth 180 milionë njerëz dhe pritet ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë, vitin e ardhshëm.

Lindjet kanë qenë në rënie të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Japoni.

Arsyet për këtë dukuri janë të ndryshme – nga ndryshimi i mënyrës së jetesës deri te shqetësimet ekonomike.

Sipas ekspertëve, Toka mund të përballojë me burimet e saj një popullsi deri në 50 miliardë njerëz. Kjo do të thotë se me ritmet e rritjes 1 miliard njerëz në rreth 15 vjet, njerëzimi do të arrijë në 50 miliardë banorë pas 630 vjetësh ose në vitin 2652.

/noa.al