Transmetuar më 15-11-2022, 08:16

Lautaro Martinez do të ketë dy tifozë specialë për ta mbështetur në Botërorin e Katarit. Ato janë partnerja Agustina Gandolfo dhe vajza e vogël Nina. Sulmuesi argjentinasi ka treguar për “Telefes” një anekdotë qesharake për lindjen e fëmijës. Çifti kishte folur tashmë për të pasur fëmijë dhe në pandemi, Agustina mbeti shtatzënë:

"Partnerja më tregoi testin pozitiv dhe unë nuk e kuptova fillimisht, ndaj e pyeta: A dole me Covid? U deshën dy javë për të asimiluar lajmin e shtatzënisë. Më pas bëmë ekografinë dhe ndjemë rrahjet e zemrës së bebes".

Nina ka lindur më 1 shkurt 2021. “Ishte e vështirë, sepse ndodheshim larg familjes”, – ka pranuar e dashura e lojtarit të Interit. Lautaro do të luajë Botërorin e tij të parë, ndërsa Agustina dhe Nina do ta ndjekin në Katar për ta brohoritur: “E shoh këmbënguljen e tij dhe sa shumë ka punuar për të arritur atje. Më jep shumë kënaqësi kur merr atë që dëshiron”.

Për vetë Lautaro është koha për të ndryshuar në mënyrë ideale fanellën, duke kaluar nga bluza zikaltër e Interit tek ajo e Argjentinës. Ai është gati për Kupën e Botës në Katar. Sulmuesi ka shpjeguar në rrjetet sociale se cilat janë emocionet e tij pak ditë para debutimit në Kampionatin Botëror.

Ai gjithashtu donte të falënderonte ata që e shoqëruan gjatë pritjes. "Toro" do ta harrojë Serie A për një muaj e gjysmë dhe për rreth një muaj do të përqendrohet në synimin për ta udhëhequr Argjentinën e tij drejt ëndrrës për t’u bërë kampione bote.

Në Instagram, Lautaro saktësoi: “Katër vite më parë thashë se askush nuk do të ma hiqte iluzionin e përfaqësimit të vendit tim në një Kupë Bote. Sot, pas 4 vitesh punë të palodhur, ka ardhur ajo që doja aq shumë”.

Së bashku me Messin dhe të tjerët, ai do të përpiqet t’i rikthejë titullin Argjentinës: “Lumturia dhe krenaria që ndiej duke qenë në gjendje të mbroj vendin tim është e pamasë. Faleminderit mbi të gjitha familjes time që më shoqëron në çdo moment”. Numri 22 në fanellë dhe buzëqeshja; kjo është e gjitha në kolazhin që shfaqet në Instagramin e tij. Ai shpreson të bëjë shumë në Katar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd