Transmetuar më 14-11-2022, 09:59

Nga Matthew Campbell | The Times

Pa Alastair ndoshta nuk do të kisha qenë kurrë në politikë,” më tha ai. “Ata ishin frymëzimi im, ishte si takim me idhujt. Ne jemi miq të mirë.”

“Sa herë që dua këshilla, pyes Tonin”, shtoi ai. “Toni na ka ndihmuar, por ai kurrë nuk mori asnjë qindarkë nga qeveria jonë. Ai kurrë nuk kërkoi të paguhej. Kurrë”.

Megjithatë, Edi Rama nuk ishte konsultuar me Blair ose Campbell për ndërhyrjen e tij në krizën e emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar, e cila filloi me një sërë komentesh në Twitter.

Kur e takova në janar, Rama ishte i entuziazmuar për ngrohjen e marrëdhënieve me Britaninë dhe tha se kishte “qeshur shumë” me Boris Johnson, i cili atëherë po zotohej të nxiste investimet e huaja dhe ishte, si ai, një ish-kryetar bashkie.

Rama shprehu gjithashtu krenarinë për pritjen e 4.000 refugjatëve afganë nga qeveria e tij pas rënies së Kabulit. Një burim diplomatik tha në atë kohë se mesazhi nga Downing Sreet ishte “të ndihmojmë Shqipërinë sa më shumë që të mundemi”.

Ramës i pëlqen të krahasojë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE me pritjen e Godosë.

Por ndryshe nga shtetet e tjera ballkanike që presin të futen në bllok, Shqipëria, ndoshta për shkak të përvojës së saj traumatike të komunizmit, deri më tani i ka rezistuar tundimit për të bërë aleanca alternative gjeopolitike me Rusinë ose Kinën.

Politika në Londër, tani mund të kërkojë të shfrytëzojë zemërimin e Ramës me Britaninë. Ai pretendon se politikanët “populistë” në Westminster po përdorin shqiptarët si koka turku për dështimin e politikave të tyre të emigracionit.

Shqiptarët kanë një histori të gjatë udhëtimi jashtë vendit, më tha Rama, pjesërisht bazuar në historinë e tyre të torturave nën diktaturë dhe pjesërisht për shkak të mungesës së mundësive në vendin e tyre.

Ai e krahasoi “retorikën e çmendur kundër emigrantëve dhe kundër të huajve” të Britanisë, me Gjermaninë “pragmatike”, e cila “i ka trajtuar emigrantët me respekt” dhe po “rinovon tregun e saj të punës me gjak të freskët”.

Në mënyrë të ngjashme, ai mendon se është e gabuar të fajësosh shqiptarët për krimin e organizuar në Londër.

“Shqiptarët nuk e sollën krimin në Britani, ata e gjetën krimin në Britani. Shqiptarët mund të jenë pjesë e tij, por në krimin e organizuar ka edhe britanikë dhe francezë”, tha ai.

Megjithatë, sytë katër janë bërë mbi “ligjin e amnistisë fiskale” të planifikuar prej qeverisë së Ramës, i cili do t’i lejonte shqiptarët jashtë shtetit të riatdhesonin pasurinë deri në 2 milionë euro në bankat shqiptare pa asnjë pyetje, duke u përballur vetëm me një taksë prej 5 deri në 10 për qind.

Ideja se kjo mund të ketë inkurajuar një rritje të emigrantëve në Britani është “krejtësisht marrëzi”, sipas një zëdhënësi të qeverisë shqiptare. “Së pari, nuk ka ndodhur ende. Së dyti, çfarë lidhje mund të ketë ligji i amnistisë me emigrantët? Cila është lidhja?”.

Erion Veliaj, një aleat i ngushtë politik i Ramës, i cili ishte pasardhësi i tij si kryebashkiak i kryeqytetit, tha se ligji i amnistisë fiskale synon më shumë të sjellë njerëzit në shtëpi sesa të inkurajojë largimin e tyre.

Ai beson se politikanët britanikë po reagojnë në mënyrë të tepruar, duke shfryrë kundër emigrantëve. “140,000 shqiptarët që jetojnë në Britani janë një nga diasporat tona më të vogla”, tha ai, duke shtuar se Greqia dhe Italia kanë më shumë se një milion shqiptarë mes tyre.

Edhe ai kundërshtoi të fliste për një pushtim kriminal: “Nëse do të ishim një komb kriminelësh, do të kishte shumë histori për njerëz që grabiten në rrugët e Tiranës, por nuk ka”.

Një mik shqiptar e ka thënë ndryshe: “Në Tiranë jeta është plotësisht e sigurt, sepse shumica e kriminelëve tanë kanë shkuar në Evropë”. Kjo ishte vetëm gjysmë shakaje.

Rama, megjithatë, është i bindur se shqiptarët janë viktima të pafajshme të diskursit helmues të Westminsterit.

“Dikur ishim të njohur për politikën tonë përçarëse”, tha ai. “Kohët e fundit amerikanët dhe britanikët kanë ngritur pishtarin”.