Transmetuar më 12-11-2022, 12:25

Mbrëmë e shpalli listën Italia, kundërshtari ynë në miqësoren e luksit të 16 nëntorit, ndërsa sot e ka bërë këtë gjë trajneri Edy Reja. Përmes faqes së FSHF-së në internet janë bërë të ditur 27 kuqezinjtë që do të jenë në dispozicion të trajnerit veteran italian për dy miqësoret e këtij muaji.

Bien në sy mungesa për shkak dëmtimesh, por edhe rikthime të spikatura. Tre nga lojtarët që u testuan në dy miqësoret pararendëse, me lojtarë të kampionatit shqiptar, duket se e kanë bindur Edy Reja t’i ftojë edhe ndaj Italisë dhe Armenisë. Ja njoftimi i FSHF-së me këtë rast:

“Trajneri Edoardo Reja ka shpallur sot listën me emrat e 27 lojtarëve të ftuar në kombëtaren shqiptare për miqësoret ndaj Italisë dhe Armenisë, me të dyja sfidat që do të luhen në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

Të gatshëm për dy testet do të jenë pjesa më e madhe e lojtarëve bazë të kombëtares, ndërsa do të ketë disa mungesa të ndikuara nga problemet fizike. Bien në sy rikthimet e Berat Gjimshitit, Marash Kumbullës, Keidi Bares apo Qazim Laçi, të cilët kanë munguar ndeshjet e fundit për shkak dëmtimesh dhe tani janë rikuperuar plotësisht.

Është rikuperuar edhe Ernest Muçi, i cili gjithashtu do të rikthehet me ngjyrat kuqezi. Risia është grumbullimi sërish i tre lojtarëve nga kampionati shqiptar, të cilët ishin pjesë e kuqezinjve në dy miqësoret e fundit me Arabinë Saudite dhe Katarin.

Më konkretisht bëhet fjalë për mbrojtësi Erdenis Gurishta, Eneo Bitri dhe Andi Hadroj. Konfirmohet edhe ftesa për Kristal Abazaj, me sulmuesin që ishte pjesë e kombëtares në dy ndeshjet e fundit dhe që do të jetë nën urdhrat e teknikut Reja edhe për këto dy sfida.

Kombëtarja do të nisë grumbullimin të dielën për t’u përgatitur për dy miqësoret, ndërkohë që po të dielën trajneri Edy Reja do të dalë në një konferencë për median, ku do të flasë në lidhje me zgjedhjet e tij dhe për objektivat.

Miqësorja, Shqipëri-Itali do të luhet më 16 nëntor në ora 20:45, ndërsa Shqipëri-Armeni është planifikuar më datë 19 nëntor, duke nisur nga ora 17:30. Më poshtë, lista e kombëtares me emrat e 27 lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet:

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd