Kina lëshoi me sukses të shtunën anijen kozmike Tianzhou-5 për të furnizuar Stacionin Hapësinor, ndërtimi i të cilit pritet të përfundojë këtë vit.
Raketa “Marshimi i madh-7 Y6”, që mbante Tianzhou-5, u lëshua më 10:03, sipas orës së Pekinit, nga vendi i lëshimit të anijeve kozmike i Wenchang-ut në provincën Hainan të Kinës Jugore.
Anija kozmike Tianzhou-5 është e ngarkuar me furnizime për gjashtë muaj për ekuipazhin prej tre astronautësh, me lëndë shtytëse, pajisje eksperimentesh si dhe një satelit të edukimit shkencor, qeliza karburanti me bazë hidrogjeni dhe oksigjeni dhe një pajisje për zbulimin e grimcave me energji të lartë.
Lëshimi i Tianzhou-5 është misioni i 200-të për Qendrën e Lëshimit Satelitor Xichang këtë vit, si dhe i fundit për vendin e lëshimit të Wenchang-ut gjatë 2022-it.
Anija kozmike Tianzhou-5 u takua dhe u lidh me Stacionin Hapësinor vetëm rreth dy orë pas lëshimit të së shtunës, duke shënuar kohën më të shpejtë që është kryer ndonjeherë për një operacion të tillë.
Anija kozmike kreu një lidhje të shpejtë të automatizuar në portën e pasme të modulit bazë të Stacionit Hapësinor në orën 12:10, sipas Agjencisë së Fluturimeve Hapësinore me Astronautë të Kinës.
Kjo është hera e parë që një anije kozmike mallrash lidhet me Stacionin Hapësinor të Kinës ndërsa astronautët janë brenda në bord.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd