
GREQI- Dyshohet se ka plagosur me thikë një bashkatdhetar pardje vonë pasdite në Kala Nera, zhduket shqiptari në Greqi.
Sipas mediave greke, i pandehuri së bashku me të atin, pas episodit kanë mbushur dy valixhe me sende personale dhe janë larguar me makinë nga zona në drejtim të panjohur.
Policia, e cila u njoftua pak kohë pas ngjarjes, po kryen hetimet për lokalizimin e mjetit Ford Focus, por ende pa rezultat.
Viktima e plagosjes, kryefamiljari 43-vjeçar, bashkëkombësi i tij, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spital dhe ndodhet ende në spital në gjendje të qëndrueshme jashtë rrezikut për jetën.
Autori dhe viktima janë fqinjë dhe pardje pak para orës 20 kanë nisur debatin për një magazinë që kanë në pronësi të përbashkët. Bisedë pas bisede tonet u ngritën dhe në një moment një 35-vjeçar para syve të të atit ka nxjerrë një thikë dhe ka plagosur në bark bashkatdhetarin dhe fqinjin e tij 43-vjeçar.
Në vendin e përleshjes dhe plagosjes nuk është lajmëruar ambulanca e EKAB-it dhe i plagosuri është dërguar në spital nga bashkëshortja e tij. 43-vjeçari u shtrua menjëherë në sallën e operacionit, pasi mjekët vlerësuan se duhej t’i nënshtrohej një operacioni për shkak të ashpërsisë së dëmtimit.
Autori 35-vjeçar i ngjarjes dhe babai i tij, menjëherë pas plagosjes së 43-vjeçarit, kanë futur me nxitim dy valixhe në makinë dhe janë zhdukur. Autoritetet policore e kanë mësuar faktin nga spitali dhe kanë kryer kërkime të gjera në një rreze të gjerë, për të lokalizuar mjetin e 35-vjeçarit, por pa rezultat.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





