Transmetuar më 10-11-2022, 08:27

Roma barazoi në fushën e Sassuolos. Avvantazhit të Abraham, i cili u rikthye te goli pas dy muajsh “agjërim”, iu përgjigj për barazimin Pinamonti, “putra” e të cilit ngriu ambiciet e verdhekuqve për fitore.

Në fund të ndeshjes, José Mourinho foli për mikrofonat e ‘DAZN’ pa e fshehur gjithë hidhërimin: "Kemi luajtur një ndeshje të mirë, me limitet tona. Pas dy ditësh të vështira me njerëz të trishtuar, skuadra donte të fitonte. Luajtëm mirë dhe kontrolluam kundër një kundërshtari shumë të vështirë".

Megjithatë, “Special One” drejtoi gishtin drejt njërit prej lojtarëve të tij: “Roma u tradhtua nga një lojtar me qëndrim, domethënë joprofesional. Më pëlqeu qëndrimi i 15 lojtarëve, i njërit jo”.

Lojtari në fjalë është Rick Karsdorp. Anësori holandez e nisi nga pankina, duke hyrë pak më pak se një çerek ore nga fundi në vend të Celik dhe sipas Mourinhos nuk tregoi qëndrimin e duhur. Aq sa goli i Sassuolo, i shënuar nga Pinamonti, erdhi pikërisht nga zona e holandezit.

"E ftova këtë lojtar që të gjejë një ekip në janar, – vazhdoi Mourinho në konferencën për shtyp, pas ndeshjes. – Sezonin e kaluar, Rui Patricio gaboi këtu, Ibanez gaboi atje, edhe unë gaboj. Sidoqoftë, qëndrimi është diçka ndryshe. Duhet të respektoni atë që përfaqësoni dhe kush paguan për ju".

Mënjanë Karsdorp, ndër shënimet pozitive të zbuluara nga portugezi në stadiumin Mapei është kthimi te goli i Abrahamit: “E pyeta atë në dhomat e zhveshjes pse ky qëndrim sot dhe jo në raste të tjera”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd