Alfred Rushaj heq dorë nga mandati i deputetit të Partisë Demokratike. Vetë Rushaj nuk ka bërë asnjë lajmërim publik, por pritet që nesër, më 8 tetor, Rushaj të depozitojë dokumentacionin e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke i lënë vendin një tjetër demokrati për të hyrë në Kuvendin e Shqipërisë. Deri më tani raportohet se Rushaj ka dhënë dorëheqjen duke e argumentuar me arsye personale.
Kjo është dorëheqja e tij e dytë brenda Partisë Demokratike, pasi më 15 janar la edhe postin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, e po ashtu edhe të nënkryetarit të të djathtës. Që prej aso kohe, Rushaj nuk u shfaq shumë në publik e aq më pak në Kuvend apo në selinë blu. Madje nuk dha asnjë edhe një koment për asnjë ngjarje që ka ndodhur në PD, as në përplasjen e janarit.
Demokrati Alfred Rushaj është një emër i njohur për demokratët pasi ka mbajtur poste të rëndësishme në qeverinë Berisha. Ai ka shërbyer si zv.ministër i Financave nga viti 2009 deri në vitin 2013 dhe si këshilltar juridik i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë nga viti 2005 deri në vitin 2009. Nga viti 1997 deri 2005 ka mbajtur disa pozicione menaxheriale dhe ekzekutive në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESh), ka qenë Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të OSSH, Anëtar i Bordit të Drejtorëve të OST, Anëtar i Bordit të Drejtues për Agjencinë e Burimeve Natyrore, por ka mbajtur edhe pozicione të rëndësishme drejtuese në kompani të mëdha që operojnë në Shqipëri.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd