50 vjet, 50 pyetje. Ish-futbollisti portugez, Luis Figo, mori pjesë në gazetën "A Bola" për të bërë një intervistë të gjerë ditën kur festoi ditëlindjen e tij (4 nëntor). Aty rishikoi të gjithë karrierën e tij si futbollist profesionist, si dhe momentin thuajse dramatik të kthimit të tij në "Camp Nou" si kundërshtar.
Sa ndikojnë fyerjet te futbollistët?
Nuk më lëndojnë, por kur lojtarët në botën e futbollit, në këtë rast shtypi, shkojnë deri në pikën sa të ngatërrohet me familjen tënde, shfaqet një formë e rrezikshme që kapërcen limitet. Duhet të ketë pasoja kur shtypi ngatërrohet me familjen tuaj. Dhe kjo ndodhi me mua.
Është një fotografi e paharrueshme në të cilën ju shfaqeni në fushën e "Camp Nou" si me pambuk në veshë (për të mos dëgjuar bataretë e ofendimeve ndaj tij). Mendohej se po përdornit një lloj "tape" për të mos dëgjuar bilbilat e 98.000 njerëzve që mbushën tribunat atë ditë. A është kjo e vërtetë?
Jo, aspak. Flokët e mi ishin të lagur dhe kur ndodh kjo, gjithmonë të futet pak ujë në veshë. Kur dolëm në fushë, unë vura duart te veshët për t’i zhbllokuar dhe ata menduan se kisha tapa pambuku, por jo.
Dokumentari juaj në Netflix (Rasti Figo: Nënshkrimi i shekullit) ka shkaktuar polemika…
Nuk e di. E vetmja gjë që di është se tregova historinë time, pa gënjeshtra, jo për ta bërë dokumentarin më të mirë apo më të keq. Secili tregoi versionin e tij të historisë dhe më pas u bë produkti përfundimtar.
‘Sulmet’ në Portugali…, pas nënshkrimit tuaj me Real Madridin…
Procesi kishte gjithmonë shumë dyshime. Deri në momentin që vendosa të nënshkruaja një kontratë me Real Madridin, kishte shumë dyshime. Ndonjëherë mendoja po, herë të tjera mendoja jo. Kur mora vendimin u fokusova vetëm te paraqitja me Real Madridin. Nëse dështoja do t’iu jepja të drejtë atyre që më sulmuan në Spanjë dhe Portugali. Këtë nuk mund ta lejoja. Nuk harroj se në Portugali më sulmuan shumë. Njerëzit ndonjëherë shkruajnë dhe komentojnë, edhe pse nuk ia kanë idenë. Unë mund të vërtetoja se kisha të drejtë në atë vendim vetëm duke luajtur futboll të mirë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd