
Xavi Hernández e ka vlerësuar njoftimin e Gerard Piqué për t’u larguar nga futbolli i luajtur. Ndeshjet kundër Almerías dhe Osasuna do të jenë të fundit që ai luan si profesionist. Trajneri katalanas i është referuar vendimit të qendërmbrojtësit të Barcelonës në konferencën për shtyp, para ndeshjes në "Camp Nou".
Në fakt, kjo tërheqje e Pique ka monopolizuar konferencën për shtyp të trajnerit. Xavi ka pranuar se e ka pasur të vështirë t’i thotë se nuk do të kishte shumë minuta dhe ka pranuar se supozon se ky "izolim" ka shkaktuar tërheqjen e qendërmbrojtësit, por insiston se e ka bërë këtë për të mirën e klubit.
Vendimi – "Ne fokusohemi në fitimin e tri pikëve. Është një ndeshje e rëndësishme për t’i bërë presion Real Madridit. Kjo kushtëzohet nga lamtumira e Gerard-it. Ai meriton të gjitha lavdërimet nga tifozët e Barcelonës për karrierën. Tani ndihet më pak i rëndësishëm dhe më pak i dobishëm.
Unë e kam provuar mbi supe një situatë të tillë. Gjëja normale është të largohesh mënjanë. Kjo e nderon atë, sepse ka një kontratë. Pique tregoi madhështi spektakolare, meriton të gjitha lavdërimet dhe vlerësimet. Tifozët e Barcelonës e nderojnë dhe vlerësojnë për atë që është; një legjendë".
Biseda me Pique – "Unë ia tregova planet e mia sportive. Ajo bisedë në verë ishte një nga ditët më të vështira të karrierës sime si trajner. Unë e vlerësoj shumë, por kjo na ka ndodhur të gjithëve. Tërheqjen e tij e morëm vesh këtë javë".
Përgjegjësia – "Sigurisht që kam një përgjegjësi të rëndësishme, por kam parë se çfarë ishte më e mira për ekipin dhe klubin. Sigurisht ka qenë e vështirë. Ai ka qenë shok skuadre i imi për shumë vite, por futbolli është kështu. Si trajner duhet të marrësh vendime, edhe pse dukesh mosmirënjohës dhe i pakëndshëm.
Nuk e di nëse kam qenë i drejtë, por kam qenë i sinqertë me të. Ai ka qenë shembull për skuadrën, për kapitenët… Unë kam qenë i sinqertë në çdo moment. Rrethanat kanë qenë të tilla që ka shkuar në këtë vendim".
Vendim i parakohshëm – "Këto janë rrethanat. Ka ndodhur kështu dhe i uroj gjithë të mirat. Ai gjithmonë e ka ‘tërhequr karrocën’ te Barcelona. Kur ka luajtur, ka qenë gjithmonë konkurrues dhe fitues".
Virtytet – "Ai është trim, konkurrues, fitues, nuk ka komplekse apo drojë. Pique është inteligjent, ai ka kapacitet të madh intelektual. Është një shok i mirë skuadre, një kapiten i sprovuar. Nuk kam për çfarë ta qortoj, por ishte një çështje futbolli".