Transmetuar më 04-11-2022, 14:31

Pas ndryshimit të masës së sigurisë për ish-deputetin e PS, Alqi Bllako, SPAK ka kërkuar rikthimin e tij në qeli.

Më 9 nëntor do të mbahet seanca gjyqësore për shqyrtimin e vendimit të 6 tetorit ku ndaj Alqi Bllakos u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar çështjen nr. 180 akti, datë 04.11.2022, në ngarkim të personit nën hetim Alqi Bllako, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit nr. 382, datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

"Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi caktoi seancën gjyqësore për shqyrtimin e kësaj çështje më 09.11.2022, ora 09:00″, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ish-deputeti socialist u akuzua si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit dhe akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Bllako akuzohet se ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit.

Kjo shkelje është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i cili gjithashtu ndodhet në burg.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd