
Po të kërkoni në Google fjalën "Halland", motori i njohur i kërkimit do të përgjigjet: "Ndoshta keni menduar për Haaland". Por jo, ekziston një qytet suedez i quajtur Halland, kërkimet e të cilit në internet janë lënë plotësisht në hije nga suksesi i sulmuesit norvegjez.
Jimmy Sandberg, drejtor i turizmit për rajonin e Halland-it, është ankuar ndaj Google për shkak të golave të sulmuesit të Manchester Cityt. Ai ka shkruar një letër duke i kërkuar botës së futbollit të jetë e kujdesshme kur diferencohet qyteti dhe futbollisti norvegjez.
"Ne jemi Halland, ai është Haaland. Popullariteti i këtij fenomeni futbolli po e mbyt praninë tonë në internet, – shkruan Sandberg. – Në mënyrë dëshpëruese, të gjitha përpjekjet tona për të promovuar Halland janë zhdukur. Nëse nuk bëhet asgjë, ne kemi frikë se rajoni ynë i dashur rrezikon të bëhet një Atlantis i harruar, një vend i njohur vetëm në historinë dhe shkrimin e lashtë".
Ndoshta Sandberg po tregohet dramatik kur e krahason qytetin e tij me Atlantis, por e vërteta është se kur kërkon Halland në Google, duhet të kalosh nëpër 25 fotografi të Haaland, me fanellën e Salzburgut, Borussia Dortmundit dhe Manchester City, përpara se të gjesh foton e parë të një peizazhi nga Halland.
Një germë e vetme prish planin turistik të këtij rajoni, që ndodhet në jug të Suedisë dhe që ka një popullsi prej rreth 300 mijë banorësh. Halland nuk njihet për golat që shënon, por për plazhet e tij. As futbolli nuk është sporti më popullor aty, por hendbolli.
Megjithatë, Sandberg pranon se shpërthimi i Haaland ka çuar në një shumëfishim të fjalës "Halland" në mediat sociale, megjithëse për arsyen e gabuar. Ai as nuk heziton të ftojë Haaland për ta vizituar rajonin dhe siguroi se shumë norvegjezë zakonisht shkojnë me pushime në këto plazhe dhe se ai do të ndihet si në shtëpinë e tij.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





