
PËRMET- Një tjetër rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar në vend. Policia bën me dije se një 67- vjeçare në Këlcyrë ka denoncuar të birin pasi ushtronte sistematikisht dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Nëna 67- vjeçare ka kërkuar ndihmë nga Policia, për të marrë masa lidhur me dhunën e përsëritur që djali i saj i ka shkaktuar.
Pas denoncimit, policia ka vënë në pranga personin e identifikuar me iniciale E. N.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Përmet bënë ndalimin e shtetasit E. N., 35 vjeç, banues në Këlcyrë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi ka bërë kallëzim nëna e tij, shtetasja V. N., 67 vjeçe, banuese në Këlcyrë, se 35-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj", njofton policia.
35-vjeçari me iniciale E.N., pritet të përballet me akuzën për këtë vepër penale. Ndërsa materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





