Vendim i papritur. Gerard Pique ka njoftuar tërheqjen nga futbolli dhe se kjo e shtunë do të jetë ndeshja e tij e fundit në "Camp Nou" kundër Almerías, siç ka shpjeguar në një video të publikuar në rrjetet e tij sociale.
Në një klip emocional 2-minutësh, në të cilin ka rishikuar të gjithë karrierën e tij futbollistike, që kur mbërriti në "La Masía", qendërmbrojtësi ka publikuar një nga kryelajmet e vitit: tërheqjen e tij nga futbolli profesionist.
"Ngjyrat blaugrana më kanë dhënë gjithçka dhe tani që ëndrrat e atij fëmije janë realizuar, dua t’ju them se është koha për ta mbyllur këtë cikël. Gjithmonë e kam thënë që pas Barçës nuk do të shkoja në asnjë ekip tjetër. Dhe kështu do të jetë. Këtë të shtunë do të jetë ndeshja ime e fundit në ‘Camp Nou’.
Pra, ndeshja kundër Almerías, këtë të shtunë në orën 21:00, merr një ngjyrim shumë të veçantë, pasi do të jetë e fundit e Pique me fanellën e Barçës, të paktën në "Camp Nou". Mbetet për t’u parë nëse ndeshja kundër Osasunas, të martën e ardhshme, do të jetë ajo përfundimtare dhe me të cilën do t’i "varë këpucët në gozhdë" pak para pushimit për Botërorin e Katarit.
🚨 𝗢𝗙𝗙𝗜𝗖𝗜𝗔𝗟: Gerard Piqué has announced he is leaving Barcelona and will play his last match at Camp Nou this Saturday!
(🎥 @3gerardpique)pic.twitter.com/DSAduq2kq9
— Transfer News Live (@DeadlineDayLive) November 3, 2022
Mbrojtësi 35-vjeçar ka humbur shumë në hierarkitë e skuadrës katalanase këtë sezon, pas nënshkrimeve të reja si Koundé, Christensen apo Marcos Alonso. Ai ka grumbulluar vetëm 554 minuta në 9 ndeshje të luajtura ndërmjet La Liga-s dhe Champions League.
Në video, për më tepër, Pique e lë të hapur derën për një rikthim në të ardhmen (tashmë larg fushave të lojës): "Ju më njihni tashmë, do të kthehem. Shihemi në ‘Camp Nou’. Forca Barça". Tërheqja e Gerard Piqué ka befasuar botën e futbollit dhe mbi të gjitha klubin e jetës së tij, Barçën.
Gerard Pique do t’i japë lamtumirën futbollit me një rekord të lakmueshëm në "palmaresin" e tij: 8 La Liga, 1 Premier League, 4 Champions League, 7 Kupa Mbreti, 3 Superkupa Evropiane, 6 Superkupa Spanjolle, 1 Kampionat Evropian dhe 1 Kupë Bote.
Mbrojtësi katalanas ka luajtur gjithsej 666 ndeshje deri më tani në karrierën e tij (615 me Barcelonën) në të cilat ka shënuar 57 gola, që e kanë bërë një legjendë të vërtetë të futbollit spanjoll.
Nga ana e tij, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, tha pas lajmit në fjalë: "Gerard Piqué do të jetë gjithmonë një simbol i ngjyrave blaugrana. Jemi në proces marrëveshjeje financiare për ta ndërprerë kontratën. Ai dëshiron ta ndihmojë klubin, e kupton gjendjen tonë financiare".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd