
Zlatan Ibrahimovic vazhdon me procesin e rikuperimit nga operacioni i ligamentit të kryqëzuar në gjurin e majtë. Ai pritet të rikthehet në fushë në fillim të vitit 2023. Sulmuesi suedez, në një intervistë për “Canal +” ka sulmuar sërish Guardiolën, me të cilin tashmë kishte pluset dhe minuset gjatë kohës së tij te Barça.
Ibrahimovic filloi duke lavdëruar Haaland: "Më pëlqen shumë, është një lojtar shumë inteligjent. Ai nuk bën gjëra që nuk janë në dorën e tij. Nuk tërhiqet për të luajtur topin, pret para portës dhe shënon gola. Ai më kujton lojtarë si Inzaghi, Trezeguet dhe Vieri. Në fakt, është një version i ri i të treve".
Megjithatë, fjalët e suedezit shkuan si shigjetë për trajnerin aktual të yllit norvegjez: “Nëse Guardiola mund ta përmirësojë atë? Varet nga egoja që keni, nëse ai e lejon veten të jetë më i madh se trajneri. Pep nuk më lejoi as mua, as të tjerët”.
Në intervistën e tij, suedezi kritikoi ashpër shtypin se ishte sulmuar për lëvdatat e tij për Benzema vite më parë: "Tani që është ‘Topi i Artë’, çfarë thonë gazetarët? Gjatë Kupës së Botës në Rusi unë thashë që Benzema e meritonte të ishte në kombëtare, por gazetarët francezë më sulmuan. Më sulmuan sepse Franca kishte fituar Kupën e Botës, tani që ka fituar ‘Topin e Artë’ do të doja të dija se çfarë thonë ata”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





