
Qeveria britanike doli sot me dy deklarata të njëpasnjëshme që synonin të zbusnin përplasjet me Shqipërinë dhe u mbushën me elozhe ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Gjithçka, pasi ditët e fundit, nga kabineti qeveritar britanik, ministrja e Brendshme Suela Braverman, u lëshua deklarata se Britania ndodhet përballë një pushtimi azilkërkuesish shqiptarë dhe se ato duhet të dëbohen.
Kjo ka nxitur përplasjen mes dy shteteve. Kryeministri Rama tha për BBC se Britani nuk mund të fajësojë Shqipërinë për problemet e saj kufitare dhe se gjuha e përdorur nga sekretarja Braverman ushqen ksenofobi dhe se problemi nuk është i shqiptarëve që emigrojnë por i politikës së brendshme britanike.
Pas ‘sherrit’ me Shqipërinë për emigrantët, Downing Street ka lavdëruar sot qeverinë shqiptare për bashkëpunimin për të frenuar fenomenin e emigrimit.
"Ne kemi një marrëdhënie të fortë me partnerët tanë shqiptarë. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ta. Ne duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të kontrabandistëve të njerëzve dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën e tyre me ne për këtë”, tha zëdhënësja e qeverisë britanike.
Deklarata e dytë erdhi po sot, nga ministri i Klimës, Graham Stuart i cili u përpoq të riparonte marrëdhëniet teksa shprehu mirënjohjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë.
"Unë jam mirënjohës për punën që po bëjmë me shqiptarët dhe ata kanë dërguar oficerë të lartë policie për të përshpejtuar përpunimin dhe ne kemi një sistem të përshpejtuar për t’i kthyer shqiptarët nëse rezulton se ata janë azilkërkuesit jo legjitimë. Pra, ne po përpiqemi të punojmë në bashkëpunim. Por është e qartë se ka presion që mund të çojë në një gjuhë, e cila ndonjëherë është për të ardhur keq dhe ia vlen të shënojmë mirënjohjen tonë ndaj qeverisë shqiptare për bashkëpunimin e tyre në punën për ta zgjidhur këtë", tha ai për Sky News.
Si lindi përplasja
Deklarata e Braverman për shqiptarët/ Rama për BBC: Jam i neveritur, mos na fajësoni për problemet kufitare të Britanisë
Kryeministri Edi Rama ka komentuar deklaratën e Sekretares së Brendshme Suella Braverman se Britania ndodhet përballë një pushtimi azilkërkuesish, kryesisht nga shqiptarët.
Në një intervistë me BBC, kreu i qeverisë e ka cilësuar deklaratën e Braverman si “të çmendur” ndërsa shtoi se e kishte të pamundur që të mos reagonte ndaj kësaj lloj gjuhe që sipas tij nuk është politikë.
"Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program. Nuk bëhet fjalë për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe ka të bëjë me gjetjen e kockave të kurbanit dhe fajësimin e të tjerëve. Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienët apo gangsterët, por ka të bëjë me politikat e dështuara për kufijtë dhe krimin. Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program, nuk është një vizion. Ajo nuk është gjë tjetër veçse nxitja e ksenofobisë dhe synimi, veçimi i një komuniteti. Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë”, tha Rama.
Braverman deklaroi se Anglia jugore po përballej me një "pushtim" të emigrantëve, ndërsa ka akuzuar gjithashtu shqiptarët për "abuzim me ligjet moderne të skllavërisë".
Rama: Mendova se puna ka arritur në atë pikë sa ishte e pamundur të mos reagoje. Ishte vërtet një pikë ku qytetaria jonë u vu në një pozitë shumë të vështirë duke dëgjuar të lëshoheshin fjalë nga më të çmendurat që hidheshin dhe ku fjala pushtim shënoi kulmin.
Përse mendoni se sekretarja britanike për Punët e Brendshme përdor fjalë si ”pushtim”?
Nuk është fjala thjesht për një person, por për klimën e krijuar dhe për gjetjen e një koke turku, pra të fajësimit të të tjerëve për çdo gjë të keqe që ndodh. Ndërkohë, që gjërat janë të qarta që nga Tirana, që nuk është afër Londrës. Çështja ka të bëjë me dështimin e politikave. Nuk është për shqiptarët apo jashtëtokësorët, gangsterët, por ka të bëjë me politika të dështuara për kufirin dhe krimin.
Çfarë mendoni se duhet të bëjnë?
Nuk e kam fjalën për atë që mendoj unë. Por, ka shembuj të qartë, ai i Gjermanisë për shembull. Disa vite më parë, ne kishim të njëjtin problem me Gjermaninë. Por, Gjermania lëvizi në drejtimin e duhur. Gjermanët asnjëherë nuk fajësuan shqiptarët dhe politikanët gjermanë nuk dolën të thonë se po na pushtojnë shqiptarët apo gjëra të tilla. Por, ata bënë një ligj ku Shqipëria përkufizohej si një vend i sigurt origjine.
Cilat mund të jenë pasojat e kësaj për shqiptarët të cilët janë vendosur në Britaninë e Madhe?
Natyrisht, kjo lloj gjuhe nuk paraprin gjëra të mira. Kjo lloj gjuhe nuk është politikë, nuk është program, nuk është vizion. Kjo nuk është gjë tjetër vetëm nxitje e ksenofobisë, vënie në shënjestër apo veçimit të një komuniteti dhe ecje në drejtim të kundërt të traditës britanike për integrimin e minoriteteve. Ishte një vend që ofronte një model për këtë çështje, ndërsa tani është bërë si një çmendinë.
Duket që jeni zemëruar shumë me këtë?
Jo, nuk jam fare i zemëruar. Unë jam një admirues i madh i Britanisë së Madhe. Kam miq dhe ndihem i privilegjuar që i kam atje. Dhe unë admiroj çdo gjë që përfaqëson Britania e Madhe. Por, njëkohësisht ndjej vërtet neveri për këtë lloj politike që më në fund është e paracaktuar të dështojë.
A do të jeni i gatshëm të punoni me agjencitë e Britanisë e Madhe për të zbutur disi bandat kriminale?
Ne punojmë tashmë me agjencitë e Britanisë së Madhe. Dhe problemi nuk janë as agjencitë dhe as profesionistët britanikë, por retorika e pakuptimtë politike. Ajo që kemi diskutuar shumë herë është për t’i bërë bashkë profesionistët, për t’i lënë ata të bëjnë punën e tyre, duke ndarë informacionet dhe duke ndjekur kriminelët e vërtetë, por jo të vësh në shënjestër të gjithë komunitetin dhe ta trajtosh atë si komunitet kriminal. Vetëm atëherë ne mund të kishim qenë shumë më të suksesshëm dhe mund të ndihmonim fëmijët, të cilët janë të manipuluar nga trafikantët.
Po në Shqipëri, a ka politika të dështuara që mund të kontribuonin për këtë çështje?
E dëgjoj shpesh këtë. Thonë se Shqipëria është vend me korrupsion e kështu me radhë. Shqipëria nuk është Britani e Madhe, Gjermani, por një vend që ka qenë viktimë për një kohë të gjatë e perandorive të ndryshme. Dhe ne jemi rrugës për t’u bërë një demokraci funksionale. Natyrisht, që kemi problemet tona. Por, duke mos qenë në rrjetin e BE-së, nuk jemi as në tregun e lirë të punës. Për këtë arsye, njerëzit kërkojnë mënyra të ndryshme. Por, po të shikoni sa njerëz të kombësive të ndryshme vijnë dhe ikin nga vende si juaji, atëherë arsyeja duhet kërkuar gjetkë. Arsye është atje ku fëmijë të vegjël britanikë nga zona periferike britanike dhe rrethinat ndjejnë nevojën dhe gjejnë shtysën të largohen nga shtëpia e tyre, të lënë fshatin e tyre, të ikin nga periferia, të largohen nga zonat e pashpresa dhe të vijnë në Londër. Në këtë rast, Shqipëria ka më shumë shpresë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





