
Zvicër- Një sfidë e veçantë futbolli është zhvilluar në Zvicër. Imamët shqiptarë, që jetojnë atje janë ndeshur me pastorët zviceranë në një përballje plot mesazhe pozitive.
Megjithatë, për sa i përket fushës, nuk ka pasur asnjë tolerim nga imamët shqiptarë, që kanë fituar me shifrat sa të thella, aq edhe simbolike në zhargonin tonë, 8-2.
Në një lidhje me Skype për “Abc e Mëngjesit”, ata kanë treguar sesi u bën bashkë dhe e kujt ishte ideja për një ndeshje të tillë.
Imami Bekim Alimi dhe pastori zviceran, Beat Urech, me plot humor ndajnë detaje nga loja e tyre, e cila ka simbolizuar edhe një bashkim fetar, që në Shqipëri ekziston prej dekadash dhe duan ta bëjnë akoma më evident si fenomen edhe në Zvicër.
“Ndeshja mbaroi 8-2 për imamët shqiptarë. Është patjetër rezultat i mirë se kur bota shqiptare shkëlqen me yje të sportit dhe ne të ndihemi sadopak krenar. Ideja ka lindur nga Beati, i cili në vendin e tij të punës ka një shqiptar dhe ai më ftoi mua në telefon.
Më pyeti nëse do të ishte një ide të bëjmë një ndeshje mes ekipeve të imamëve dhe pastorëve. Skuadrat nuk kanë emra. Ne faktikisht jemi nga komuniteti i myslimanëve shqiptarë këtu dhe e kemi lënë kështu”, tha Bekimi.
“E kemi një mangësi kundrejt shqiptarëve se ata kanë një fuqi në futboll, të dhënë nga Zoti. Nuk fokusohemi vetëm në aktivitete sportive sa i përket aspektit ndërfetar. Ne kemi metoda të ndryshme në Zvicër.
Natyrisht ne do të bëjmë përforcimet e duhura në ekipin tonë dhe do të mundohemi të zbresim moshën. Natyrisht që ne e dimë që në Zvicër nuk do të ishte i njëjti ekip po mos të ishte Shaqiri dhe Granit Xhaka”, u shpreh Beati.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





