Transmetuar më 02-11-2022, 12:13

Vendi i tretë është në lojë për Juventusin, vendi i parë për PSG. "Europa League" si objektivi minimal për bardhezinjtë, një urnë më pak e rrezikshme dhe më e lehtë për francezët. E gjitha kjo, në mënyrë të pashmangshme, me një sy në atë që ndodh mes Maccabi Haifa dhe Benfica, që do të luhet për të njëjtat qëllime.

Siç e ka zakon tashmë të hidhur, Allegrit i duhet të përballet me numrin e zakonshëm të tepruar të lëndimeve, të cilëve iu shtohet mungesa e të pezulluarit Danilo. “Përveç Locatellit, nuk do të rikuperojmë askënd, – saktësoi menjëherë trajneri i Juventusit në konferencën për shtyp në prag të sfidës me parizienët.

– Disa djem që kanë luajtur në Lecce do të luajnë edhe sot. Do të jetë një test i mirë edhe për disa të rinj. Sigurisht që kjo ndeshje është shumë e rëndësishme. Kjo është një konferencë e çuditshme, e para pas shumë vitesh kur luajmë një ndeshje jo vendimtare për Champions League. Tani do të përpiqemi të shkojmë në Ligën e Evropës. Do të përballemi me një nga skuadrat më të forta në Evropë".

Çfarë ndeshjeje pret në mbrëmje?

Ne do të duhet të luajmë një ndeshje inteligjente, teknikisht të vlefshme. Në Paris dhuruam dy gola, në dy situata të shmangshme. Ne do të kemi nevojë për besim, siç kishim në Lecce.

Si është mesfusha, si është Locatelli?

McKennie ka një edemë, që nuk është e qartë nëse është shkaktuar nga një goditje apo tendosje. Unë kam Locatelli, Rabiot, Fagioli dhe Miretti në mesfushë. Locatelli është mirë.

Pogba nuk është ende mirë, do të mungojë edhe në Kupën e Botës. A keni folur me të?

Ende jo. Kam biseduar me të më parë. Është e kotë të përsëris atë që është thënë tashmë. Pasi u mor vendimi për të mos bërë operacion në fillim të sezonit, ishte normale që shpresat se mund të kthehej me Juventusin dhe Francën u reduktuan. Është normale, jemi penalizuar që nuk e kemi pasur në dispozicion.

Ju do të përballeni me PSG që ka një Messi të rikthyer në nivelet e "Topit të Artë"…

Messi ka qenë gjithmonë më i miri në botë. Për të është një vit i rëndësishëm, për PSG dhe Kupën e Botës. Ai është 35 vjeç, këto janë vitet e fundit në këtë nivel.

Sa dhemb largimi kaq herët nga Champions League?

Na dhemb shumë. Jam i inatosur, mospërballja me më të mirët tani e tutje nuk është aspak e mirë. Do të mendojmë për kampionatin nga nesër.

Është një sezon i shoqëruar nga shumë dëmtime. A keni një arsye përse?

Kur fillon një sezon me tre lojtarë jashtë konkurrencës, duhet të përballesh me 21 ndeshje me lojtarë që duhet të luajnë më shumë. Kemi pasur lëndime jo vetëm muskulore, por edhe traumatike. Por, duke thënë këtë, le të flasim vetëm për të gatshmit. Ndaj Interit do të kemi në dispozicion Di Maria dhe Bremer, nga e hëna e ardhshme besoj edhe Paredes, nëse çdo gjë shkon mirë. Të tjerët do t’i shohim në janar. Vlahovic nuk është në dispozicion për sot, shpresoj të kthehet kundër Interit.

A është kjo periudha juaj më e vështirë si trajner?

Në muajt e fundit mund të kishim bërë më mirë, jam i inatosur që po dalim kaq shpejt jashtë Champions League. Kjo situatë duhet të na bëjë të reflektojmë. Në kampionat do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund të këtyre tri ndeshjeve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd