Transmetuar më 31-10-2022, 14:54

SHKODËR- Operacion i koordinuar me pjesëmarrjen e Policisë Shkodrës, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s u finalizua sot në Shkodër duke ushtruar kontrolle në disa banesa në lagjen Kiras të qytetit.

Gjatë kontrolleve, brenda një prej lagjeve më të komentuara të qytetit për shkak të ngjarjeve kriminale, janë gjetur arsenal armësh, mina, tritol, fishekë dhe aparatë për bllokim valësh që dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë. Në pranga kanë rënë Petrit Kubazi, 52 vjeç, dhe djali i tij, Gledis Kubazi, 20 vjeç. Gjithashtu do të hetohet në gjendje të lirë Gerlad Kubazi, 16 vjeç.

Gjatë kontrollit të forcave RENEA dhe FNSH në banesa këtyre personave u janë gjetur: 3 mina me telekomandë, të lidhura me telefon, 8 kallëpe tritoli C4, gati për përdorim, me peshë totale 1 kilogramë e 600 gramë, kapsolla detonatore të lidhura me tela, të gatshme për përdorim, 1 armë gjahu (shotgun) me 2 gjerdanë dhe 50 fishekë, 1 radio si ato të Policisë, 1 aparat për bllokimin e valëve, 3 aparate celulare dhe 1 armë sportive. Policia ka kontrolluar në banesën e Cuf Mataj, i cili po hetohet në gjendje të lirë për shkak të moshës së madhe ndërsa i biri Ismet Mataj, 45 vjeç, është shpallur në kërkim, pasi nuk u gjetë në banesën e tij. Mendohet se të gjitha armët janë përdorur në ngjarje të mëparshme kriminale.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd