Transmetuar më 31-10-2022, 11:15

Imazhet e Inter-Sampdoria kanë bërë xhiron e botës dhe është e lehtë të kuptohet pse. Me lajmin e vdekjes së shefit të ultrasve, Vittorio Boiocchi, i vrarë në rrugë nga të paktën pesë të shtëna armësh, heshtja ra në "Curva Nord".

Nga kjo pjesë e "San Siro", ku rrinë ultrasit e këtij tifo-grupi, fillimisht u hoqën pankartat dhe më pas shkallët u zbrazën gradualisht. Ajo që dukej si një gjest respekti kolektiv dhe i përbashkët, megjithatë ka një sfond të bujshëm të zbuluar nga disa përdorues në rrjetet sociale, të cilët ishin të pranishëm në tribunat e "San Siro" për ndeshjen që përfundoi 3-0 për zikaltrit.

“Arratisja e madhe” nga stadiumi duket se ka implikime të papritura. Sipas disa tifozëve të pranishëm në stadium, zbrazja e tribunave do të ishte një gjest i detyruar nga kërcënimet e marra nga ultrasit.

“Kurba e veriut i detyroi të gjithë tifozët e pranishëm atje, përfshirë gra dhe fëmijë, të largoheshin me britma dhe shtytje, – shkruante një përdorues në Twitter. – E pagova biletën për të parë ndeshjen, por na detyruan të iknim që në pjesën e parë. Një sjellje e pahijshme nga ana e shefave të ultrasve”.

“Po na nxjerrin nga stadiumi me kërcënime, – shtoi një tjetër. – Një baba i rrahur me fëmijën, njerëz që kanë bërë 600 km për të parë ndeshjen dhe pastaj detyrohen të kthehen në shtëpi”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd