
Goli i Messias në minutën e 67-të rihapi ndeshjen Torino-Milanin dhe shkaktoi reagimin e furishëm të Ivan Juric, i cili u përjashtua me karton të kuq nga arbitri Abisso. Në rezultatin momental 2-0 për “granatat”, anësori kuqezi gjeti golin, por lojtarët dhe stafi i Torinos sfiduan rregullsinë e tij. Messias shtyu Buongiorno-n, arbitri nuk vërshëlleu për faull.
Edhe VAR-i nuk ndërhyri, duke provokuar tërbimin e Juric në pankinë ndaj trupës arbitrale: "Turp të keni, copa m…" Kjo shfryrje dufi ndaj “bluzave të zeza” solli edhe përjashtimin e tij me karton të kuq. Megjithatë, skuadra vendëse ia doli të fitojë 2-1 dhe të trondisë kuqezinjtë, kampionët e Italisë në fuqi, në rrugëtimin e tyre ndjekës të kreut. Nga kjo ndalesë e “Djallit”, me siguri festoi Torino, por fërkoi duart edhe Napoli, që kryeson i vetëm.
Por çfarë ndodhi saktësisht për ta zemëruar Juriç jashtë mase? Më shumë se "bilbili" i munguar i Abisso në kohë reale, ishte mungesa e ndërhyrjes së VAR-it. Messias dhe Buongiorno, të dy ndjekin topin pranë këndit të djathtë të zonës së "granatave" kur braziliani, paksa i pafavorizuar me mbrojtësin, përpiqet të mbrohet me trupin e tij, por e shtyn kundërshtarin nga pas.
Një prekje që çekuilibron lojtarin vendas, por edhe nxjerr blof Milinkovic-Savic që ndodhej dy hapa larg, me Messias që shfrytëzoi rastin për ta futur topin në rrjetë. Nëse jo në kohë reale, të paktën me përdorimin e pamjeve të ngadalta në VAR, gjithçka duhej të ndalohej dhe anulohej. Për këtë, Juric mori fillimisht kartonin e verdhë nga arbitri Abisso, për protesta. Më pas shpërtheu në ofendime dhe mori të kuqin.
Messias scores Milan's first goal#TorinoMilan
— 𝓚𝓡8 (@kr_808) October 30, 2022
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





