Stacioni Hapësinor i Kinës: U krye testimi para nisjes i modulit laboratorik Mengtian. Ai nuk ka një kabinë gjumi, por është plot me kabinete për qindra eksperimente
Testimi i gjithë sistemit për fluturimin e ardhshëm të modulit laboratorik Mengtian të Stacionit Hapësinor të Kinës u krye të shtunën në Qendrën e Lëshimit Wenchang në provincën Hainan të Kinës Jugore.
Testi para nisjes u bë për të vlerësuar funksionimin e Mengtian-it dhe koordinimin midis sistemeve të ndryshme, përpara se moduli laboratorik të dërgohet në orbitë në një kohë të përshtatshme në të ardhmen e afërt.
Testimi përfshiu Qendrën e Kontrollit në Pekin, Qendrën e Lëshimit në Wenchang, Qendrën e Kontrollit në Xi’an në provincën Shaanxi të Kinës Veriperëndimore dhe të gjitha stacionet e monitorimit dhe anijet vëzhguese.
"Testi i përbashkët i të gjithë sistemit, ka për qëllim kryesisht verifikimin e bashkërenditjes dhe funksionimin e të gjitha sistemeve. Kryerja si duhet e testimit vërteton se gjithçka është gati për lëshimin e Mengtian-it. Moduli laboratorik, sikurse edhe ne, jemi në pritje të nisjes zyrtare të misionit”, – tha Wang Saijin, zv/kryeinxhinier në Qendrën e Kontrollit në Pekin.
Kombinimi i modulit laboratorik dhe raketës transportese “Marshimi i Madh-5B Y4” u dërguan të martën në platformën e lëshimit.
Mengtian do të thotë "Ëndrrat e Qiellit". Ai është krijuar kryesisht për eksperimente shkencore. Ndryshe nga Tianhe dhe Wentian, ai nuk ka një kabinë gjumi. Në vend të kësaj, është plot me kabinete për qindra eksperimente.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd