Transmetuar më 29-10-2022, 11:20

Faza e dytë e Kategorisë Superiore ofron një kryesfidë mes Tiranës dhe Kukësit. Kampionët e vendit në fuqi do të presin verilindorët në “Selman Stërmasi”, nesër prej orës 14:00. Bardheblutë vijnë nga humbja me Erzenin, ndaj pritet reagimi i menjëhershëm. Trajneri Orges Shehi bëri këtë prognozë për duelin me Kukësin.

Nga Kukësi te Kukësi, çfarë ka ndryshuar Tirana?

Kjo është ndeshja e parë e fazës së dytë. Pra janë luajtur 9 ndeshje deri tani. Skuadrat kanë filluar ta njohin njëra-tjetrën. Çdo pjesëmarrës në Superiore ka pritshmëritë e veta. Ecuria jonë mund të kishte qenë disi më mirë, duke iu referuar këtyre 2-3 ndeshjeve të fundit. Do të mundohemi që fazën e dytë ta nisim me maksimumin e pikëve.

 Si e ke bërë përgatitjen taktike pa tre lojtarët që ishin në miqësore me kombëtaren?

Kjo ka vështirësitë e veta. Tre lojtarët na janë bashkuar tani në fund. Nga ana tekniko-taktike duhet t’ua shpjegosh për të dytën herë, por është diçka që e kemi bërë disa herë dhe lojtarët e kanë të qartë çfarë pritet prej tyre.

 Si është gjendja e lojtarëve dhe çfarë prisni ndaj Kukësit?

Përballjet sa vijnë e bëhen më të vështira. Kukësi ka pasur ecuri të mirë, ka elementë të rrezikshëm në përbërje. Tirana-Kukësi kanë qenë gjithmonë përballje mes dy pretendentëve. Na rikthehen shumë lojtarë në këtë ndeshje; Limaj, Najdovski, Tosevski. Patrick ka gjendjen e mirë, Deliu ka lënë pas dëmtimin. Skuadra është gati.

 Kukësi konsiderohet një “mace e zezë” për ju?

Mace e zezë” ka kuptimin që ti nuk fiton dot me ta dhe humbet. Ne kemi fituar ndaj Kukësit, me sa kam unë memorie. Në fazën e parë dolëm barazim, ndaj nuk besoj se mund ta quajmë “mace e zezë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd