
Raymond Domenech nuk ishte veçanërisht i pëlqyer as nga lojtarët e tij, siç thotë historia e kombëtares franceze. Ish-trajneri ka një makth të përsëritur: Kupën e Botës. Ai ishte në stol në finalen e Berlinit, atë të fituar me penallti nga Italia ndaj Francës, që hyri në histori edhe me goditjen me kokë të Zidane. Dhe pikërisht për atë episod, si dhe për Botërorin e ardhshëm, Domenech foli në një intervistë për "Olè".
Natyrisht, nuk mund të mos e fillonte nga "Zizou", goditja me kokë ndaj Materazzi: "Ishte sikur u rrëzua një aeroplan, ajo që ndodhi ishte një katastrofë që askush nuk e shpjegoi me të vërtetë. Nuk kishte probleme, ekipi ishte mirë, askush nuk e di saktësisht pse ndodhi. Ne nuk e dimë se çfarë ndodhi me tyre. Presioni për Zidane ishte shumë i fortë, sepse ishte ndeshja e tij e fundit. Ndonjëherë zgjohem natën dhe them me vete: po të kisha folur më shumë me të më parë, t’i shpjegoja se çfarë mund të ndodhte…
Sidoqoftë nuk mund ta imagjinoja se do të përfundonte kështu. Nëse njerëzit do të kishin dëgjuar gjithçka që i thashë arbitrit në atë moment, do të isha përjashtuar 10 vite nga futbolli. Kjo është historia e tij, Zidane nuk i është rrëfyer askujt për këtë dhe nuk dëshiron. Askush do ta dijë ndonjëherë se çfarë i kaloi në kokë në atë moment".

Duke folur për kampionët, Domenech zgjedh të preferuarin e tij. Ai quhet Leo dhe luan për Argjentinën: "Për mua, Messi është lojtari më i jashtëzakonshëm që kam parë ndonjëherë. Ai është i aftë të bëjë gjëra që nuk janë parë më parë. Ka lojtarë që bëjnë gjëra interesante, por ajo që bën Messi nuk ka të krahasuar. Ndonjëherë, kur e shoh duke luajtur, përpiqem të kuptoj dhe imagjinoj se çfarë mund të bëjë.
Në fakt, çdo herë bën diçka që nuk e kam parë kurrë. Ai është i vetmi lojtar që mund të bëjë gjëra të tilla. Për fat, ne kemi tre lojtarë në Paris që mund ta fitojnë Kupën e Botës: Messi, Neymar dhe Mbappé. Të tre mund ta fitojnë, por më i miri nga të gjithë është Messi. Nëse Messi fiton Kupën e Botës, unë do të jem i lumtur edhe nëse Franca dështon”.
Duke folur për Francën, një fjali e Mbappès, i cili përçmonte kombëtaret vendase bëri bujë në Amerikën e Jugut. Edhe Domenech e qorton yllin e Deschamps. “Mbappé në këtë rast do të kishte bërë më mirë ta mbyllte gojën. Nuk mund të thuhet një gjë e tillë, se skuadra si Kili apo Kolumbia nuk janë skuadra të mira.
Ato kanë futbollistë që luajnë në Evropë në të gjitha llojet e klubeve. Ka skuadra si Uruguaji, me lojtarë të niveleve më të larta. Nuk e di, mendoj se Mbappe duhet të kishte shmangur të fliste për këtë gjë. Dhe shpresoj që nëse takojmë skuadra të Amerikës së Jugut në Kupën e Botës, ato nuk do ta mbajnë mend atë që tha".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





