Mesfushori i Interit, Kristjan Asllani, u shpreh i kënaqur që ishte pjesë e fitores së djeshme në Ligën e Kampionëve ndaj Viktoria Plzen. Triumfi 4-0 bëri që Interi të kualifikohej në 16-she, duke dërguar në shtëpi (Europa League) Barcelonën indirekt. Talenti shqiptar i zikaltërve tha pas ndeshjes: “E dinim se duhej të fitonim me forcë për të kaluar në raundin e tjetër. Ishim mjaft të mirë për ta kaluar pak më lehtë këtë ndeshje.
Mund të themi se jemi vërtet një grup i bashkuar, kjo shihet qartë në fushë teksa e ndihmojmë njëri-tjetrin. Pikërisht kjo gjë po na shpërblen. Bëmë vërtet mirë”.
Në vijim të fjalës së tij për “Sky Sport Italia”, Asllani do të ndalej edhe te çlirimi që i solli kalimi në 16-she, duke pasur parasysh se shihej si “delja e zezë” prej momentit kur humbi atë rast të artë ndaj Barcelonës në “Camp Nou”. Në momentin kur rezultati ishte 3-3, shqiptari gaboi i vetëm me portierin blaugrana, teksa kishte në këmbë golin e katërt, që do ta vuloste qysh aty kualifikimin e të tijve:
“Është një ndjenjë e mrekullueshme, veçanërisht për faktin se unë kam qenë tifoz i Interit që kur isha i vogël. Gjërat shkuan ashtu siç e dini kundër Barcelonës në “Camp Nou”. Fatmirësisht, më pas gjërat shkuan në mënyrë perfekte dhe unë duhet të falënderoj djemtë që ma shpëtuan nderin.
Ne jemi të lumtur, sepse ishim në një grup vërtet të vështirë. Bëmë mirë, përparuam më tej, gjë që ishte thelbësore. Tani kthehemi në Serie A dhe më pas do të fillojmë ta zhvendosim fokusin tonë në raundet e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve”.
Mbi procesin e tij të përshtatjes tek Interi, Asllani tha: “Jam i lumtur. Gjithçka po shkon shumë mirë. Është normale që nuk po luaj aq shumë, sepse kam lojtarë shumë të mirë përpara meje. Përpiqem të mësoj sa më shumë që të jetë e mundur çdo ditë, duke marrë gjëra nga ndeshjet e lojtarëve të mëdhenj, veçanërisht Brozovic dhe Calhanoglu. E di mirë se duhet të vazhdoj të punoj”.
Kristjan Asllani nuk është bërë menjëherë pjesë e formacionit të Simone Inzaghi, pas transferimit të verës së këtij viti në “San Siro”. Shqiptari ka startuar dy ndeshje deri më tani, gjatë sezonit, ndërsa në pjesën tjetër ka qenë i kufizuar kryesisht si zëvendësues.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd