Transmetuar më 25-10-2022, 22:04

Durrës- Ish-deputeti demokrat Igli Cara ka bërë një denoncim në rrjetet sociale se si punonjësit e administratës së Durrësit detyrohen që të shpërndajnë në rrjetet e tyre sociale postimet e kryetares së Bashkisë apo të kryeministrit Rama. Po ashtu Cara ka publikuar dhe një mesazh që u është dërguar punonjësve të administratës, ku pikërisht i kërkohet që të shpërndajnë postimet në rrjetet sociale. Po ashtu atyre u është kërkuar që të shkarkojnë një aplikacion i cili mbikqyret nga kryebashkiakia e Durrëst.

Postimi i Plotë:

Presioni në rritje, që nuk njeh as ligj dhe as limit është përballja e përditshme e punonjësve të administratës në Durrës e më gjerë. Shpërndarja e çdo postimi të kryetares së bashkisë dhe të vetë Ramës, në faqet personale në rrjetet sociale është një nga kushtet kryesore, për të mos humbur vendin e punës. Një cënim i hapur i privatësisë dhe i të drejtave të njeriut, pa lënë mënjanë kornizën ligjore. Ndërsa, qershia mbi tortë është "këshilla" për t’u regjistruar në programin "Aktivist", i cili është shpërndarë dhe mbikëqyret me kujdes të veçantë nga Kryebashkiakja dhe stafi i saj. Në vend të jenë në shërbim të qytetarëve, punonjësit e administratës janë shndërruar në shërbëtorë të kryetares, që të tjera thotë dhe të tjera bën, duke e shndërruar në nul, moralin dhe ligjin për çdo qytetar të Durrësit.