Transmetuar më 25-10-2022, 12:17

TIRANË- Vëllezërit Astrit dhe Jasin Avdylaj janë marrë në pyetje në lidhje me zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, për të cilin nuk ka asnjë gjurmë që nga data 9 tetor. Marrja në pyetje e tyre është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Kurbinit nga Policia e Lezhës. Ende nuk dihet se çfarë mund të kenë dëshmuar dy pjesëtarët e familjes Avdylajt në lidhje me zhdukjen e Martinajt. Kjo marrje në pyetje vjen pas kontrollit që u ushhtrua në dy banesat e Avdylajve më 10 tetor. Kontrollet e zhvilluara nga RENEA në Shijak zbuluan e sekuestruan sende që të ndihmonin në gjetjen e gjurmëve të të shumëkërkuarit Martinaj, por asnjëherë nuk u bë me dije se për çfarë sendesh bëhej fjalë. Raportimet në media treguan se uniformat blu shkuan atje për të gjetur gjurmë biologjike të të shumëkërkuarit, si përshembull, njolla gjaku.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd