
Tiranë- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka reaguar ditën e sotme lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur një natë më parë me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti.
Në një prononcim për mediat Rrumbullaku ka deklaruar se punonjësit e policisë së patrullës që bënë ndalimin e Lear Kurtit, janë të pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve.
Ndër të tjera Rrumbullaku nuk preferoi të bëjë komente dhe të japë informacione të tjera në lidhje me ngjarjen, duke u shprehur se policia duke qenë palë e kësaj ngjarje, nuk mund të japë asnjë deklaratë.
‘Policia duke qenë palë, në lidhje me problemin, nuk ka dhënë asnjë lloj deklarate. Ju lutem shumë, përgjigjia ime është e thjeshtë dhe e qartë. Është një rast fatkeq. Ju lutem shumë, nuk kemi një polici të inkriminuar. Nëse bëhet fjalë për rastin, do të ketë një ekspertizë mjekoligjore. Unë jam drejtor i përgjithshëm dhe nuk mund të jem pjesë e hetimit. Po janë të pezulluar punonjësit e policisë’, tha kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





