Transmetuar më 20-10-2022, 07:25

Armëpushimi mes dy ‘miqve- armiq’ dukej se ishte sanksionuar në fushën e ‘Parce des Princes’, me asistin e dhënë nga Mbappe për Neymar në ndeshjen e fituar nga PSG ndaj Marseille.

Sidoqoftë, në orët në vijim erdhi ajo që shumë e konsiderojnë një ‘shigjetë plot helm’ nga braziliani drejtuar shokut të tij të skuadrës, me të cilin marrëdhëniet nuk janë idilike, siç raportohet javët e fundit nga shtypi francez.

Një ditë pas ndeshjes në Paris u organizua ceremonia e “Topit të Artë” 2022, fituar nga francezi Karim Benzema i Real Madridit. Një zgjedhje e miratuar nga Neymar, i cili në Twitter, megjithatë, kontestoi podiumin (top-3).

"Benzema e meritoi, yll! Por që Vini Jr të jetë i teti nuk është e mundur, – "cicëroi" braziliani. – Minimumi duhet të ishte në mesin e tre më të mirëve".

Fjalë dashurie dhe vlerësimi për bashkatdhetarin e tij te Real Madridi, por të lexuara nga shumë njerëz, dhe në veçanti nga gazeta spanjolle “Marca”, si ‘sulm indirekt ndaj Mbappe’, i gjashti në renditjen përfundimtare.

Mbappe mbeti jashtë podiumit (ku për Ney duhej patjetër Vinicus Jr.), i kompletuar nga Mané dhe De Bruyne.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd