
TIRANË- Këtë vit 16 tetori është festuar në mënyrë të veçantë në Top Channel pasi përkon me ditëlindjen e themeluesit të saj Dritan Hoxha.
Në atë që do të ishte 54-vjetori i Tanit të Topit, vajza e tij e madhe, Lori Hoxha ka mbajtur një fjalim tepër prekës dhe emocionues dedikuar të atit.
Teksa përshëndeti dhe falenderoi të gjithë të ftuarit për gjithë arritjet e sukseset e deritanishme duke falenderuar këdo që ka kontribuar në to, Lori rikujtoi me zë të lartë se ç’nder dhe ç’përgjegjësi është të jesh vajza e një njeriu si Dritan Hoxha.
“Çfarë nderi, çfarë kënaqësie, çfarë privilegji, çfarë vështirësie, çfarë lufte, çfarë bekimi dhe çfarë mallkimi paska qenë të vije në jetë si vajza e Dritan Hoxhës. U zgjova sot në ditën tënde – të cilën kemi vite që s’e festojmë dot më bashkë dhe kujtime sesi që nga Rozafa e deri te Sheratoni më mbaje krah teje teksa festoje përvjetorin tënd dhe bëje pjesë të tij bashkëpunëtorë të ndryshëm. Energjia jote që herë-herë të mbyste e herë-herë të ngrinte në qiell nuk mungonte në tavolinat e të gjithëve që festonin për ty dhe për vete.
U zgjova sot me mall, por edhe me inatin që nuk më përgatite dhe të ma kaloje stafetën ti. Megjithëse dyshoj që do të ma kaloje kaq herët, sepse sot do ishe vetëm 54 vjeç. Nëse të kam njohur aq sa duhet në ato 14 vitet e shkurtra, besoj që do të ndiheshe i sfiduar nga unë. Megjithëse, ja ku jemi dhe unë stafetën e mora vetë, me dëshirë dhe me luftë"- tha Lori.
Dritan Hoxha, themeluesi i televizionit Top Channel, u bë i njohur si një ndër njerëzit më inovativ në botën e televizionit i cili ndërroi jetë më 23 maj të 2008 nga një aksident tragjik. Bashkëshortja e tij Vjollca së bashku me vajzat Lorin dhe Sarën kanë marrë përsipër drejtimin e televizionit pas vdekjes së tij.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





