
Gazeta sportive spanjolle “Mundo Deportivo” i ka kushtuar një shkrim të zgjeruar Vllaznisë për femra, skuadrës kuqeblu që do të luajë për herë të parë në histori në grupet e Ligës së Kampionëve. Kundërshtarë të saj do të jenë emra sugjestionues për futbollin kontinental, jo më për Shqipërinë, si Real Madridi, PSG dhe Chelsea. Ja prognoza që bën media në fjalë:
“Futbollistet e KF Vllaznia, me sukses të konsoliduar në garat sportive vendase, do të debutojnë këtë të enjte me sukses ndaj Real Madridit në ndeshjen e fazës së grupeve të Champions League për femra, ku do të garojë për herë të parë një skuadër shqiptare.
Pavarësisht se që nga viti 2013, KF Vllaznia ka qenë fituese e ligës vendase të futbollit për femra dhe të Kupës së Shqipërisë, me vetëm dy barazime dhe asnjë humbje, ndeshja e së enjtes në stadiumin "Loro Boriçi" kundër madrilenëve shënon një fazë të re në jetën e saj, pasi rivalizon mes 16 klubeve më të mira evropiane.
Presidenti i klubit Lazër Matija e konsideron këtë vit më të mirin për Vllazninë që nga themelimi i saj në vitin 2013, duke u bërë klubi i parë shqiptar që kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për femra.
Kampionia aktuale e Superligës Shqiptare për femra, e krijuar vetëm 13 vite më parë, eliminoi në turin e parë Spartak Myjava nga Sllovakia dhe në të dytin Vorskla Kharkiv nga Ukraina. Shorti i vendosi në grupin e vështirë A me Real Madrid, Chelsea dhe PSG.

“Edhe pse është shumë e vështirë për të marrë një rezultat pozitiv, të luash me ekipe të tilla elitare në futbollin evropian është privilegj për ne”, – tha Matija për EFE. Lojtaret ia kushtojnë këtë sukses punës së tyre të vështirë kolektive, përkushtimit dhe menaxhimit të mirë të klubit.
Për Megi Doçin, sulmuesen më të mirë shqiptare që ka shënuar 600 gola në 9 vitet e fundit, ndeshja e së enjtes është shumë emocionuese, pasi do të luajë kundër një ekipi që ka shumë tifozë në Shqipëri.
Pavarësisht kësaj, dëshira e saj është të shënojë një gol, ndërsa vlerëson përgatitjen e skuadrës, e cila do të luajë e plotë, pa dëmtime. Me origjinë nga Burreli, një zonë e varfër në veri të Shqipërisë, Doçi kujton se si fëmijë, në vitet 2000, ajo ishte shumë e dhënë pas futbollit dhe bënte 40 minuta në këmbë me të atin për të parë lojërat në televizorin me ngjyra që i mungonte fshatit të saj.
Suksesi i këtyre vajzave nuk është vetëm sportiv, por edhe social, pasi mentalitetin patriarkal e kanë sfiduar edhe në familjet e tyre, që e konsiderojnë futbollin “sport mashkullor”.
"Mamaja ime ishte kundër. Ajo donte një vajzë me fustan, për t’i krehur kaçurrelat, për ta përkëdhelur dhe jo një vajzë që vinte në shtëpi çdo pasdite me gjunjë të dëmtuar", – tha Doçi, kapitenia e skuadrës shqiptare, idhulli i të cilës është Cristiano Ronaldo.

Boshti i skuadrës përbëhet nga futbollistet shqiptare që vijnë nga akademia e të rinjve, por kohët e fundit janë shtuar nënshkrimet e të huajve, të cilat kanë mundësi të kalojnë nga një ligë amatore në një ligë profesioniste dhe madje të marrin pjesë në garat më prestigjioze si Champions League.
Aktualisht, Vllaznia përbëhet nga 5 vajza amerikane, 2 nga Mali i Zi, 1 nga Greqia dhe disa nga Kosova. "Unë jam rritur duke parë Real Madridin në televizion, si ekipet e djemve, ashtu edhe të vajzave. Është shumë emocionuese të jesh në fushë ndaj një kundërshtari të tillë", – tha mesfushorja amerikane Megan Cavanaugh për EFE nga kampi stërvitor.
Ndeshja ka ngjallur interes te tifozët shqiptarë, veçanërisht të Shkodrës, vendlindja e futbollit shqiptar, ndërkohë që vizitorët spanjollë nuk kanë blerë asnjë biletë deri më tani.
"Për Shkodrën dhe Shqipërinë ndeshja është një ngjarje e madhe që ndodh për herë të parë. Vllaznia është skuadra më e mirë në Shqipëri. Nga kjo skuadër, 5-6 vajza luajnë në kombëtaren shqiptare. Shpresojmë të fitojmë", – tha Fatlum Sulejmani, tifoz i Barcelonës.
Miku i tij, Agroni, i ndjek me më shumë interes ndeshjet e futbollit të femrave se sa të meshkujve, sepse “në futbollin e meshkujve ka korrupsion dhe manipulime, ndërsa vajzat luajnë me drejtësi dhe japin shpirtin në fushë për të fituar”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





