
Tiranë- Policia e Tiranës ka reaguar duke sqaruar arsyet se përse gjatë mbrëmjes së djeshme sistemi TIMS ka qenë jashtë funksionit.
Në një njoftim zyrtar, policia sqaron se sistemi ka rënë pas një ndërhyrjeje për ta përmirësuar dhe pas ndërhyrjeve, puna është kthyer në normalitet. Megjithatë, paralajmërohet se në ditët në vijim do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me disa lajme të publikuara mbrëmjen e djeshme, në disa media dhe portale, në të cilat është pretenduar se ka ndodhur përsëri sulm kibernetik ndaj sistemit TIMS, sqarojmë opinionin publik se:
Ndaj sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme, nuk ka ndodhur sulm kibernetik, por në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme u realizuan disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Konfirmojmë se pas ndërhyrjes së shkurtër, mbrëmjen e djeshme, sistemi TIMS vijon të jetë funksional, në të gjitha pikat kufitare.
Sqarojmë se edhe në ditët në vijim, do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave që para se të publikojnë lajme që kanë impakt tek qytetarët, të kërkojë informacion zyrtar pranë strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





