
Rusia ka shkatërruar pothuajse një të tretën e termocentraleve të Ukrainës gjatë javës së kaluar, tha të martën Presidenti Volodymyr Zelenskiy, ndërsa Moska lëshoi më shumë raketa mbi infrastrukturën në atë që Kievi dhe Perëndimi e quajnë një fushatë për të frikësuar civilët.
Raketat goditën stacionet e energjisë në kryeqytetin Kiev, ku vranë tre persona, si dhe në Kharkiv në lindje, Dnipro dhe Kryvyi Rih në jug dhe Zhytomyr në perëndim, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë.
Një burrë u vra në banesën e tij që u shkatërrua në Mykolaiv në jug, raporton noa.al duke cituar Reuters.
"Situata është kritike tani në të gjithë vendin… I gjithë vendi duhet të përgatitet për ndërprerjet e energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes," i tha televizionit ukrainas Kyrylo Tymoshenko, nënkryetar i zyrës së presidentit ukrainas.
Rusia ka pranuar hapur se ka shënjestruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës me valë sulmesh me raketa dhe dronë që nga fillimi i javës së kaluar, në atë që presidenti Vladimir Putin tha se ishte një hakmarrje legjitime për një shpërthim në një urë.
Kievi dhe Perëndimi thonë se sulmi i qëllimshëm ndaj infrastrukturës civile është një krim lufte dhe sulmet, që synojnë t’i lënë ukrainasit pa ngrohje dhe energji me ardhjen e dimrit, janë taktikat e fundit e Putinit për të përshkallëzuar një luftë që forcat e tij po humbasin. /noa.al
Foto: Reuters
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





