Në foton kryesore të këtij shkrimi, i riu Karim Benzema asokohe mori pjesë në “paradën” e çmimeve të fituara nga bashkëlojtarët e tij një muaj më parë në ceremoninë e organizuar nga “France Football”.
Saktësisht është janar 2015, me Cristiano Ronaldon e freskët si fitues i “Topit të Artë” dhe Real Madridin që ka merituar çmime të tjera pas fitores së “Decima” (Champions-it të dhjetë).
Karim, gjithmonë njeri i skuadrës, duartroket shokët e tij në prapaskenë. Koha e tij do të vinte, asokohe ishte në formim e sipër për t’u bërë ky që është sot, një bomber i vërtetë që ka fituar gjithçka në karrierë.
Mbrëmë, shtatë vite më vonë, Karim Benzema është shpërblyer me “Topin e Artë” që i është dorëzuar direkt nga idhulli i tij, Zinedine Zidane. Ai është i vetmi ende në Madrid, së bashku me Kroos, nga personazhet në foton kryesore të shkrimit.
Sot, Benzema është kapiteni i skuadrës madrilene dhe golashënuesi i dytë më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e klubit të bardhë.
Çmimi individual më i lakmuar (“Topi i Artë”) shpërblen më së miri një sezon stratosferik, gjatë të cilit francezi ishte lideri i padiskutueshëm i një prej udhëtimeve më spektakolare në Champions ndonjëherë. Puna e madhe e tij u shpagua, Karim është me meritë në krye.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd