Transmetuar më 17-10-2022, 12:41

Në kërkim të pasanikëve shqiptarë. Ky është synimi kryesor që ka paketa fiskale 2023, draftin e ri të të cilit ka siguruar noa.al, nga ministria e Financave. Ky draft në një pjesë të mirë të tij merret me synimin e krijimit të një databaze me individët e pasur, të cilët do të jenë subjekt kontrolli për evazion fiskal.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përmes këtij drafti po shkon edhe më larg, duke kërkuar ndryshime në ligjin e procedurave tatimore, të cilat kanë për qëllim që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të marrë kompetenca për të kontrolluar edhe individët e jo vetëm bizneset dhe organizatat joqeveritare.

Sipas draftit, synimi është që DPT të kontrollojë individët, për të përcaktuar nëse të ardhurat bruto dhe të tatueshme janë deklaruar në mënyrë të pranueshme për tatimet dhe nëse taksat e të ardhurave janë derdhur në arkë.

Draftligji, duke tentuar të ndryshojë procedurat tatimore zhytet në një sferë të re, atë të ngritjes dhe mbajtjes së një data-baze të plotë të individëve që realizojnë të ardhura të tatueshme në RSH dhe kontrollit të tyre.

Ministria e Financave, thotë se kjo po kërkohet sepse gjatë kryerjes së kontrolleve tatimore, janë konstatuar të ardhura të padeklaruara të individëve.

Duke qenë se kompetencat nuk shkojnë kaq larg sa tentohet tani, administrata tatimore ka hasur vështirësi në vlerësimin tatimor të këtyre individëve.

"Me mbajtjen e këtij regjistri dhe dhënien e të drejtës administratës tatimore për të vepruar kryesisht, kur konstatohen mos-deklarime të të ardhurave individuale, do të mundësohet mbledhja e të ardhurave edhe nga kjo kategori tatimpaguesish", thotë Ministria e Financave.

Sipas draftit, administrata tatimore mban regjistër të veçantë të individëve sipas të dhënav të gjendjes civile, për efekt të deklarimit nga ana e tyre të të ardhurave individuale të realizuara.

Si numër identifikimi për qëllime tatimore, për tatimpaguesit individ, shërben numri personal i identifikimit, i marrë nga gjendja civile në përputhje me legjislacionin e fushës.

Drejtoria e Gjendjes Civile njofton menjëherë administratën tatimore për çdo ndryshim apo përditësim të të dhënave të individëve.

Individët që mbartin detyrimin ligjor të dorëzimit të deklaratës individuale të të ardhurave vjetore, të cilët nuk e përmbushin këtë detyrim, njoftohen nga administrata tatimore me qëllim vete përmbushjen.

Nëse individi nuk përmbush detyrimin, drejtorisë rajonale të tatimeve i lind e drejta të kryejë vlerësimin e detyrimeve tatimore përkatëse dhe të regjistrojë individin. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd