Edhe pse kjo fundjavë nuk ka prodhuar gola nga futbollistët e kombëtares shqiptare, të cilët luajnë Europë, sërish vlerësohen pozitivisht për çka dhanë në fushën e lojës. Lojtarët shqiptarë patën minuta në këmbët e tyre, me disa që e nisën titullarë, ndërsa disa të tjerë nga stoli.
Ylber Ramadani, mesfushori i ekipit kombëtar ishte i vetmi asist kuqezi i kësaj fundjave. Djaloshi shqiptar aktivizohet në kampionatin skocez, në radhët e ekipit të Abeerden, teksa në sfidën e fundit ishte një nga heronjtë e ekipit të tij, sepse ndihmoi për të zhbllokuar rezultatin e më pas për të fituar ndeshjen. Sajti i specializuar për statistika, Sofascore e vlerëson Ramadanin me notën 7.5, lojtari shqiptar më i vlerësuar i fundjavës.
Edhe mbrojtësi Ivan Balliu ishte një nga futbollistët më të mirë në fushë nga radhët e Rayo Vallecano, pavarësisht barazimit që ekipi i tij mori në shtëpi kundër Getafe. Ai u aktivizua që nga minuta e parë, teksa sipas Sofascore, mbrojtësi kuqezi vlerësohet me notën 7.1.
Një paraqitje të mirë në fushë bëri edhe gardiani i portës shqiptare, Elhan Kastrati, i cili luan me ekipin e Cittadella në Serie B. Djaloshi shqiptar vlerësohet me një notë të lartë nga Sofascore, 7.2, pavarësisht kartonit të verdhë që mori në këtë ndeshje.
Kristjan Asllani po kthehet tashmë në një element të rëndësishëm tek Interi, teksa pas sfidës kundër Barcelonës në Champions League, ditën e djeshme pati mundësinë të ishte sërish pjesë e zikaltërve, duke e nisur nga stoli. 18 minuta pati në dispozicion djaloshi kuqezi për të ndihmuar Interin të fitonte ndaj Salernitanës.
Një lajm i mirë për kombëtaren shqiptare është rikthimi i Berat Gjimshitit me Atalantën, pas dëmtimit që e mbajti larg për disa javë. Edhe pse nuk ishte ende gati për të luajtur, futbollisti shqiptar ishte në stol në ndeshjen që Atalanta zhvilloi kundër Sassuolo.
Sa i përket vijës së sulmit, Sokol Cikalleshi e Taulant Seferi luajtën minuta të plota në radhët e ekipeve të tyre, por nuk arritën dot të gjenin rrugën e rrjetës. Pas dy golave e një asisti në mesjavë, as beratasi Myrto Uzuni nuk gjeti dot golin e radhës në sfidën e djeshme në ndeshjen që Granada luajti ndaj Tenerife, ndërsa për Armando Brojën pati pak minuta në dispozicion, që nuk i mjaftuan djaloshit kuqezi për të gjetur shënjestrën e saktë.
Minuta pati këtë fundjavë edhe për Keidi Baren, Endri Çekiçin, Nedim Bajramin, Amir Abrashin e futbollistë të tjerë kuqezi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd