Transmetuar më 17-10-2022, 08:20

UKRAINË- Sulme kamikaze me dron mbi Kiev. Tre shpërthime janë dëgjuar mëngjesin e sotëm në kryeqytetin ukrainas pasi sirenat e sulmit ajror u ndezën. Kryebashkiaku Vitalii Klitschko tha se ndërtesat e banimit në zonën qendrore të Shevchenkivskiy ishin dëmtuar.

Andriy Yermak, kreu i zyrës së Presidentit Zelensky, tha se sulmet ishin nga të ashtuquajturat dron kamikaze. Kjo vjen një javë pasi kryeqyteti u godit nga disa raketa ruse në orën e pikut, në një sulm mbarëkombëtar që la 19 të vdekur. Shpërthimet ndodhën rreth orës 07:00 me orën lokale, tha Paul Adams i BBC-së, i cili ndodhet në qytet.

Ai tha se ekipet e shpëtimit ishin në vend dhe u tha banorëve të qëndronin në strehimoret e sulmeve ajrore. Yermak tha në Telegram se sulmi ishte nga dronët kamikaze dhe se Ukraina kishte nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore "sa më shpejt të jetë e mundur".

Dronët, që thuhet se i janë furnizuar Rusisë nga Irani, mund të qëndrojnë pezull për orë të tëra përpara se të zhyten në objektiva dhe të shpërthejnë. Ukraina thotë se Rusia i ka përdorur më parë.

Irani mohon furnizimin e tyre me Rusinë dhe Rusia nuk ka komentuar. Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmet e javës së kaluar ishin si hakmarrje për bombardimin e një ure kyçe që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar, për të cilën ai fajësoi Ukrainën./BBC

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd