Transmetuar më 15-10-2022, 14:13

Carlo Ancelotti doli para mediave në prag të “El Clasico” së nesërme, kur do të presë Barcelonën në “Bernabeu” prej orës 16:15. Trajneri italian konfirmoi se Courtois mbetet jashtë kësaj supersfide me interes global dhe se nuk do të bëjë asnjë shpikje si vitin e kaluar, kur u mund 4-0 dhe “hëngri një dajak të mirë”, sipas vetë njeriut të stolin madrilen:

"El Clasico përgatitet si gjithmonë, por duhet shtuar se çfarë përfaqëson kjo ndeshje për të gjithë, cilësinë e dy skuadrave. Përgatitet në mënyrë të ngjashme, megjithëse shtohet aspekti emocional, presioni…

Courtois po ecën shumë mirë, por është stërvitur shumë pak, nuk ndihet rehat dhe s’mund të thirret për nesër. Do të shohim për ndeshjen tjetër, por tani duhet vetëm të stërvitet".

Dy fjalë edhe mbi gjendjen e Rudiger, i cili u dëmtua keq në mesjavë, iu deshën 20 qepje për të mbyllur çarjen e thellë mbi vetull: "Ai është mirë, nuk ka shqetësime. Po flasim për një luftëtar, është shumë i emocionuar para El Clasico së parë të tij".

Ngacmimit të gazetarëve se çfarë skeme do të përdorë nesër, Ancelotti iu përgjigj: “Nuk ka shpikës të futbollit, është shpikur shumë kohë më parë. Është e qartë që vitin e kaluar doja të shpikja diçka dhe mora një dajak të fortë. Skuadra duhet të sulmojë dhe mbrohet.

Katalanasit kanë barazuar vetëm një ndeshje në La Liga dhe janë në një dinamikë të mirë në kampionat. Kanë pasur disa probleme në Champions League, që mund të ndodhin në atë kompeticion, por në La Liga kanë qenë spektakolarë".

A ka nxjerrë mësime nga ndeshja e vitit të kaluar, të cilën e humbi 4-0 në “Bernabeu”. Italiani nuk pëlqen t’i referohet fare: "Nuk e kam vendosur videon e asaj ndeshjeje për lojtarët, ata e njohin shumë mirë rivalin e tyre. Nuk do të ndikojë ndeshja e vitit të kaluar, është një tjetër "El Clasico". Nuk është lojë për jetë a vdekje, por e veçantë. Sezoni është shumë i gjatë dhe ne do të donim të fitonim”.

Ja si e vlerëson “Carletto” stilin e lojës së Barçës: "Historia e saj flet qartë, vazhdon me një stil që iu pëlqen tifozëve dhe klubit. Është një ide që iu ka dhënë suksese dhe që vazhdojnë ta kenë.

Klubet e tjera kanë një ide tjetër. Mendoj se të kesh një stil të vetëm nuk është efikase, sepse ndonjëherë lojtarët ndryshojnë. Për mua ka rëndësi të kërkosh një ide, në të cilën lojtarët ndihen rehat".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd