Transmetuar më 15-10-2022, 10:35

Një vështrim mbi të kaluarën, padyshim fokusi në të tashmen, por edhe një sy në perspektivë. Stefano Pioli është një element i gjithanshëm, ai u intervistua nga "Lega Serie A": "Më 9 tetor festova tri vitet e para në Milano, tri vite plot emocione, punë dhe bashkëpunim në një klub të madh.

Tri vite në të cilat kemi bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm së bashku me lojtarët e mi, gjithmonë në zhvillim. Ne vazhdojmë të kemi ide dhe mendësi për t’u përmirësuar dhe rritur. Unë kam qenë gjithmonë shumë i sigurt dhe pozitiv, klubi më ka ofruar një grup lojtarësh me potencial të lartë dhe shumë talent.

Kur kombinoni këto karakteristika me disponueshmërinë, dëshirën për t’u rritur dhe përmirësuar, mund të synoni vërtet lart. Ne jemi Milani, është e drejtë të përpiqemi të fitojmë diçka përsëri, pas titullit në sezonin e kaluar”.

Trajneri kuqezi flet edhe për efektin e titullit dhe kampionatin: “Ne jemi bërë gogol për kundërshtarët tanë. Të gjithë luajnë për të na mundur ne, ndaj duhet të vazhdojmë të mendojmë për të ngritur nivelin tonë, nëse duam të garojmë për të fituar sërish. Bilanci i kampionatit do të kishte qenë shumë pozitiv nëse nuk do të kishim humbur ndaj Napolit.

Besoj se, duke pasur parasysh mënyrën se si luajti skuadra, meritonim diçka tjetër. E dimë se duhet të vazhdojmë kështu dhe mund të bëjmë më mirë. Në nivelin tonë, veçanërisht, vëmendja ndaj detajeve mund të bëjë ndryshimin, siç e kemi parë dhe paguar në lëkurën tonë. Pësuam disa gola, pavarësisht se më pak se rivalët. Ne duhet dhe mund të bëjmë edhe më shumë”.

Një prognozë edhe për të pushimin e kampionatit, periudhën kur do të luhet Botërori i Katarit: “Ne tashmë kemi një program se kush do të qëndrojë në Milano, por të panjohurat më të mëdha do të kenë të bëjnë me lojtarët tanë që do të shkojnë në Katar. Në atë rast do të jetë e nevojshme të bëhen programe individuale, bazuar në atë se kur do të kthehen dhe si do të kthehen. Kjo do të jetë situata më delikate dhe më e rëndësishme për t’u menaxhuar”.

Disa fjalë edhe për Maldini dhe Massara: “Fati i një trajneri është të gjejë menaxherë kompetentë që e mbështesin. Maldini dhe Massara janë një çift perfekt dhe unë po kaloj shumë mirë me ta. Fakti që kemi tri vite që punojmë së bashku na ka lejuar të njihemi dhe të lidhemi më mirë. Prania e tyre është shumë e rëndësishme si për mua, ashtu edhe për ekipin”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd