Transmetuar më 14-10-2022, 22:15

Ka ardhur koha kur në parlamente nuk flasin vetëm njerëzit, por edhe robotët. Në një seancë dëgjimore që bëri histori parlamentare dhe teknologjike, "artistja" robotike humanoide Ai-Da foli të martën në komitetin e telekomunikacionit dhe zhvillimit dixhital të Dhomës së Lordëve, duke dhënë pikëpamjet e saj se si teknologjitë e reja do të ndikojnë në degët e artit dhe fushën e krijimit në përgjithësi.

I cilësuar nga krijuesit e tij si "artisti i parë robotik humanoid shumë realist në botë me inteligjencë artificiale", Ai-Da u shfaq me fytyrën dhe rrobat e një gruaje, duke informuar deputetët britanikë se megjithëse një krijim artificial, megjithatë është i aftë të prodhojë art.

Roboti është krijuar nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit dhe mban emrin e modifikuar të pionieres britanike të IT, Ada Lovelace, raporton noa.al duke cituar The Guardian.

Ai-Da iu përgjigj pyetjeve së bashku me krijuesin e saj kryesor dhe drejtorin e galerisë së artit Aidan Meller në një takim të komitetit parlamentar, seancë që u transmetua në televizion.

Kur u pyet nëse krijimet e saj janë të ndryshme nga krijimet njerëzore, Ai-Da u përgjigj: "Unë jam dhe varem nga programet dhe algoritmet kompjuterike. Edhe pse nuk jam njeri i gjallë, sërish mund të krijoj art."

Ndonjëherë roboti mundohej të përgjigjej dhe në një moment "ngec" plotësisht dhe duhej të rifillonte, gjë që shkaktoi siklet në dhomën e Lordëve.

Më herët, kryetarja e komitetit Tina Stowell ia kishte bërë të qartë krijuesit të Ai-Da të pranishëm në seancë, se "roboti nuk ka të njëjtin status si njeriu dhe ju si krijuesi i tij jeni në fund të fundit përgjegjës për deklaratat e tij".

Në fakt, pyetjet për robotin i janë dorëzuar krijuesit të tij para daljes së Ai-Da-së në seancën parlamentare, me qëllim që përgjigjet e saj të kishin njëfarë përmbajtjeje.

Secili anëtar i panelit bënte me radhë një pyetje dhe merrte një përgjigje praktikisht të përgatitur paraprakisht.

Meller tha se roboti është "një personalitet i kombinuar bashkëpunues" me "shumë algoritme, shumë të ndryshme për detyra shumë të ndryshme. Ai ka një grup algoritmesh për pikturimin e fotografive, një grup tjetër algoritmesh për të folur, si dhe një grup tjetër algoritmesh për të shkruar."

Ai-Da ka prodhuar tashmë disa vepra, duke përfshirë një pikturë të Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth, të cilat janë ekspozuar herë pas here nëpër galeri dhe ekspozita. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd