Vetëm ju do ta dini nëse ishin para të shpenzuara mirë. Ilary Blasi dyshohet se ka paguar 75.000 euro për të punësuar hetuesin privat që spiunoi, përndoqi dhe fotografoi Francesco Tottin për tre muaj. Këtë shumë, detektivi privat e mori për të mbledhur prova të tradhtisë së ish-bashkëshortit me Noemi Bocchi.
E thotë vetë Ezio Denti, 64 vjeç, konsulent në shumë procese penale, specialist në këtë sektor (“u punësova tetë vite më parë nga Alena Seredova për gjurmimin e Gigi Buffon me Ilaria D’Amico, kam qenë unë që i kam bërë fotot kompromentuese”), në një intervistë me të përjavshmen “Nuovo”.
Duke shpjeguar se tarifa përfshinte përdorimin e “pajisjeve të sofistikuara: GPS, kamera me rreze infra të kuqe, makina dhe motoçikleta, dronë dhe mbi të gjitha orë inteligjente”, detektivi saktëson se puna e tij zgjati nga 22 prilli i këtij viti deri në fund të korrikut.
Takimi i parë me Ilary do të bëhej në një hotel romak, pasdite, mbi një gotë verë të kuqe. Dhe një nga mesazhet që kampioni verdhekuq gjeti në celularin e prezantueses së “Isola dei Famosi” ("kam mbërritur, do të pres në hotel") ishte dërguar nga Denti, jo nga një gjoja flirtues.
Detektivi privat thotë se iu qep pas Francesco, duke u fshehur në vendet e duhura, i ndihmuar nga teknologjia më moderne. Por nuk përdori “çimka”: “Ato mund të vendosen vetëm nga policia gjyqësore, ose me mandatin e një magjistrati”.
Po, ai ka vendosur GPS në makinën e Tottit: “Jashtë, si gjithmonë, kur duhet të ndjekim lëvizjet e një burri mashtrues, përdorim teknologjinë”. Denti, me përvojën e tij 10-vjeçare mbi të tradhtuarit dhe tradhtarët, vlerëson edhe ngjashmërinë evidente që ekziston mes Ilary dhe Noemi:
“Kjo ndodh, veçanërisht nëse nuk është një aventurë. Në rastin e Tottit, mund të them se ai është ende i dashuruar me gruan e tij. Unë mendoj se ai hyri në një marrëdhënie tjetër, sepse ndjeu se diçka ishte thyer me Ilary”.
Francesco Totti, nga sa ka treguar në intervistën e famshme për “Corriere della Sera”, nuk ka vënë re asgjë. Ai e mësoi gjurmimin vetëm më vonë, nga miqtë. Megjithatë, jo të gjithë do të ishin të sinqertë me të. Një nga njerëzit e rrethit të tij të ngushtë, duke ditur edhe për hetuesin privat të punësuar nga Ilary, nuk i tha për këtë.
Kur e mori vesh, “Pupone” u ndje i tradhtuar, por tani zemërimi është qetësuar. Ndërkohë, ish-kapiteni verdhekuq ka dalë hapur me Noemi Bocchi. Së pari për ditëlindjen e tij të 46-të në “Isola del Pescatore” në Santa Severa, më pas për darkë në “Assunta Madre” në via Giulia.
Fejesa zyrtare është e certifikuar nga dy unaza binjake të shkëlqyeshme prej ari të bardhë dhe diamanti, që të dy i mbajnë në gishtin e unazës së dorës së majtë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd