Transmetuar më 12-10-2022, 08:38

TIRANË- Kryeministri Edi Rama niset për në Strasburg ku do të mbajë një fjalë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën në Këshillin e Evropës. Rreth orës 15:00 (me orën shqiptare), Kryeministri Edi Rama do t’i drejtohet Këshillit të Evropës për të kërkuar rishikimin e Rezolutës numër 1782 dhe të shpallë të pabazuara të gjitha akuzat e ngritura ndaj Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Kur bota kthehet përmbys dhe viktimat kthehen në fajtorë, atëherë çdo gjë është e mundur… NESËR FJALA IME NË KËSHILLIN E EUROPËS,"-shkruante Rama dje në rrjetet e tij sociale.

Rezoluta do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik, me 125 vota pro, duke bashkuar maxhorancën dhe opozitën për të mbajtur të njëjtin qëndrim, pavarësisht përplasjeve të forta politike që kanë pasur. Pas kalimit në Kuvend, Rezoluta u është dërguar:

1. Vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës;

2. Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës;

3. Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës;

4. Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

5. Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

6. Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

7. Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Madje për të, kryeministri Edi Rama foli edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara,. Gjatë fjalimit të tij, raportin e Marty-t dhe ndikimin e tij në drejtësi e ka cilësuar si një ‘dështim’ që po njollos një vend. Ndërsa nuk kaloi pa kërkuar nga OKB që të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport të ri.

“Sa përmendet fjala Ballkan, vijnë imazhet e njollosura të krimeve njerëzore, të gjenocidit në Srebrenicë dhe spastrimin etik të shqiptarëve në Kosovë, llogaridhënia duhet të vazhdojë, por kjo kërkon angazhim dhe vendosmëri ndaj idealeve të drejtësisë dhe bashkëpunimit mes palëve, drejtësia shërbehet me fakte, prova dhe me të dhëna, nuk mund të mos ndaj një shembull të tmerrshëm që duhet të jetë një mësim për botën. Në 2011, u soll raporti i Dick Marty ku akuzohej ushtria e kosovës për trafikimin e organeve, duhet të ishte paguar si tregimtar/shkrimtar, por jo si raportues i Këshillit të Europës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e dhomave të specializuara dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifesti kundër pavarësisë së Kosovës. Asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund dhe asnjë vend tjetër, e megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thaçin, presidentin e Kosovës.

Ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht, imagjinojeni njëherë, presidenti juaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, as edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës, për krimin e pretenduar të trafikimit, një fantazi e tërë, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi. Ne mendojmë që Asambleja do të nevojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë enjë organizatë kaq të rëndësishme,”-tha Rama.

Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentarë të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim ç’njerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjestarë dhe drejtues të UÇK.

Duke u bazuar në të dhënat e këtij raporti janë ngritur padi për krime lufte për shumë drejtues dhe komandatë të UÇK-së, por së fundmi shteti i Kosovës ka marrë goditjen më të fortë. Për krime në të ashtuquajturën "shtëpia e verdhë" në Burrel, akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Nasim Haradinaj dhe Jakup Krasniqi. Përveç kupola e UÇK-së, të gjithë të tjerët kanë mbajtur poste të larta në Kosovës, veçanërisht Hashim Thaçi, i cili ka qenë president, por edhe kryeministër.