Transmetuar më 11-10-2022, 08:11

UKRAINË- Rikthehen sulmet masive në Ukrainë. Rusia ka rinisur bombardimet dhe sirenat e alarmit ajror ranë sërish mëngjesin e sotëm në Kiev, pas goditjeve masive që u shënuan një ditë më parë dhe që vranë 14 persona në Kiev. Qindra të tjerë janë plagosur. Orët e fundit janë parë valë pas vale shpërthimesh, jo vetëm në Kiev, por në të gjithë vendin, nga Lviv në perëndim në Kharkiv në lindje dhe Odesa në jug. E gjithë situata ngjan me një ‘déjà vu’, me sulmet e para të muajit shkurt.

Të gjithë qytetarëve u është thënë të rifuten në bodrume pasi priten sulme të mëtejshme, duke përdorur raketa dhe dronë. Gjatë natës, forcat ruse kanë vënë në shënjestër disa infrastruktura në qytetin e Zaporizhzhia. Ende nuk ka informacione për viktima dhe të lënduar. Pas shkatërrimit të urës që lidh Krimenë me Rusinë, forca ruse goditën disa qytete ruse me raketa, duke shkatërruar infrastrukturën civile. Presidenti Zelensky i kërkoi Europës përgjigje të ashpër.

Shërbimet e sigurisë ukrainase kanë përfshirë nënkryetarin e Këshillit të Sigurimit dhe ish-kreun e shtetit rus Dmitri Medvedev në listën e tyre të të kërkuarve. Ndërsa Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Nga ana tjetër presidenti i Bjellorusisë Lukashenko njoftoi se trupat e Misnk do të formojnë njësi të përbashkëta me ato të Moskës duke bërë që konflikti, të zgjerohet.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së hodhi poshtë kërkesën e Rusisë për një votim të fshehtë mbi mocionin që dënon aneksimin e territoreve të okupuara ukrainase. Kërkesa ruse u refuzua me 100 vota kundër, 14 pro dhe 38 abstenime. Kurse sot, pritet të mbahet Samiti virtual i G7 për Ukrainën, në orën 14:00. Pjesë e Samitit do të jetë edhe vetë Zelenskyy.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd