Transmetuar më 10-10-2022, 18:26

TIRANË- Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për sekuestrimin e pasurisë së Gazmir Kosiqit. Ky i fundit dyshohet se të ardhurat i ka krijuar me burime nga krimi i organizuar. Bëhet fjalë për dy vila, dy makina, një truall dhe një apartament që rezultojnë të regjistruara në emër të Gazmir Kosiqit e që u vunë në sekuestro nga Operacioni Forca e Ligjit. Tashmë, këto prona i kalojnë shtetit.

Gazmir Kosiqi, 62 vjeç, ka humbur djalin e tij, Elsi Kosiqi në vitin 2018, i cili u ekzekutua nga Mahmut Gega. Elsi Kosiqi, babai i tre fëmijëve u ekzekutua pas mesnatës në derën e shtëpisë në Dibër. 32-vjeçari kishte shkuar në Dibër të Madhe ku kishte qëndruar me disa shqiptarë dhe një shtetas maqedonas gjatë gjithë ditës, deri në mesnatë. Në orën 1:30 ai është kthyer në banesë, por, sapo ka parkuar makinën, në derë të shtëpisë është qëlluar me tre plumba nga Gega.

Një vit më vonë, Gazmir Kosiqi u sulmua sërish, por këtë herë me tritol që iu vendos në murin e një stalle bagëtish. Nga sulmi mbeti i plagosur djali tjetër i Kosiqi, Ismail Kosiqi 30-vjeç.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd