
U hodh dje shorti i eliminatoreve të Kampionatit Europianin 2024, që do të luhet në Gjermani. Përzierja e goglave ka zbardhur edhe rivalët e Shqipërisë, e cila është pozicionuar në Grupi E së bashku me Poloninë, Republikën Çeke, Moldavinë dhe Ishujt Faroe.
Në përfundim të shortit të hedhur në Frankfurt ka dhënë një prononcim për mediat edhe presidenti i FSHF, Armand Duka, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, së bashku me trajnerin e kombëtares kuqezi, Edoardo Reja.
Armand Duka – “Të gjitha skuadrat janë të mira, shorti i pranueshëm. Grupi B dhe C ishin të vështirë, në grupin tonë mund të luhen ndeshjet dhe mund të arrish çdo rezultat. Është real objektivi për të qenë pjesë e ‘Euro 2024’. Nuk mund të mendosh nga shorti që je kualifikuar, por duhet të shohësh fushën. Kur kemi mësuar shortin për ‘Euro 2016’, menduam se ishte i pakalueshëm, por ia dolëm.
Tani nëse mendojmë se është një grup i lehtë do të bëjmë më keq se më parë. Janë skuadra të forta, Polonia është pjesëmarrëse në Botëror, edhe Moldavia e Ishujt Faroe janë në rritje. Moldavia dhe Ishujt Faroe kanë diferencë nga Polonia e Çekia. Po të ishin më të forta do të ishte më mirë, pasi objektivi i tyre tashmë do të jetë Shqipëria. Grupi me pesë është më pak impenjativ dhe nuk kam pishman për skuadrën e gjashtë për shkak të përfitimit financiar, e dëshiroja të ishim në një grup me pesë.
E ardhmja e trajnerit Reja? Këtu jemi për shortin dhe më pas do të diskutojmë për vazhdimësinë, siç e kemi bërë gjithnjë me trajnerin. Do të bisedojmë për më të mirën e Shqipërisë”.

Edy Reja – “Janë skuadra që i njohim, skuadra të vështira, por mund të përballemi me to. Kemi mundësi të mira me të gjitha këto skuadra nëse do të jemi në gjendje të mirë dhe nuk do të kemi mungesa si kohët e fundit. Polonia është e fortë, kjo dihet, por do të garojmë me Çekinë për vendin e dytë.
Duhet të jemi të kënaqur me këtë grup, pasi kemi evituar emra të mëdhenj. Edhe Çekinë e njohim, pasi jemi përballur me ta në miqësore vitin e kaluar. Por, ne do të hasim vështirësi nëse do të luajmë si edicionin e kaluar. Duhet të shmangim gabimet në ndeshjet e fundit.
E ardhmja ime në stolin kuqezi? Presidentin këtu e keni. Në fillim të përfundojë kontrata që kam, më pas do të ulemi të bisedojmë me presidentin Duka. Për momentin duhet të punojmë, të mbyllim kontratën që kemi dhe më pas do të ulemi të flasim për të ardhmen”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





